'Urgjencë për të shkatërruar, jo për të ndërtuar'/ Këlliçi: Veliaj po grabit pronën te Njësia 4

Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi akuzon Erion Veliajn se ka për qëllim të grabisë pronën e banorëve te Njësia 4. 

Banorët e një pallati janë ngritur në protestë pasi bashkia kërkon të shembë objektin. 

Këlliçi tha në Çim Peka Live se Veliaj me shkresën që u ka dërguar banorëve kërkon të shembë me urgjencë pallatin, ndërkohë që puna për ndërtimin zvarritet. 

Sipas tij, i gjithë interesi i bashkisë është prona e qytetarëve që banojnë te rruga "Myslym Keta", te Njësia 4 në kryeqytet. 

"Sot në orët e para të mëngjesit kanë ndërprerë energjinë si banditë dhe më pas kanë ndërprerë edhe ujin e pijshëm. Kur kjo godinë duhet të shembet, si ka mundësi që me këtë shkresë, presin datën 19 dhjetor për ta shembur? Si ka mundësi që i kanë lënë banorët 3 vite në këtë godinë? Çfarë ndodh me këtë shtet? Dhe paskan nxjerrë datën 19 dhjetor për t'i nxjerrë nga shtëpitë e tyre. Si ka mundësi që kjo qeveri dhe bashkia e Tiranës ka urgjencë për të shkatërruar, rasti i '5 majit', Unazës së Re, Laprakës, Kombinatit, i abuzimit me pronën e qytetarëve? Ka urgjencë për të shkatërruar, por nuk ka urgjencë për të ndërtuar? E gjitha bëhet për shkak të një babëzie të përdorimit të tokës së qytetarëve, të pronës së tyre. Ajo që kanë kërkuar qytetarët sot, kanë gjithë ditën që bëjnë thirrje për të takuar një titullar, nga bashkia ose institucionet e tjera, të na sqarojnë se çfarë do të bëhet me ne. Nuk janë kundër zhvillimit, projektit, por duan të dinë çfarë do të ndodhë me ta. Një banori që ka 3 dhoma dhe një kuzhinë i është thënë, jo me shkrim, që do të marrë një dhomë dhe një kuzhinë, por nuk e dinë ku, kur dhe si. Nëse shkojmë sipas kësaj logjike të Maznikut, siç ka banorë sot që jetojnë në çadër, edhe këta banorë nesër do t'u shembet shtëpia dhe do të jetojnë në çadër", tha Këlliçi.