Gazetari zbulon emrat: Kë preferon Yuri Kim dhe Edi Rama për kreun e SPAK-ut

Gazetari Eni Ferhati thotë se prokurori Altin Dumani është i preferuari i ambasadores amerikane, Yuri Kim për të marrë drejtimin e SPAK-ut, bazuar në disa informacione që ka arritur të mësojë.

Në emisionin “Now” në Euronews Albania, Ferhati u shpreh se kryeministri Edi Rama preferon në krye të SPAK-ut, prokurorin Edvin Kondili.

“Të paktën nga ajo që kemi arritur të mësojmë, jo zyrtarisht, sepse askush nuk ka dalë me postin e një kandidati, është e kuptueshme që ambasada duket që ka një mbështetje dhe preferon zotin Altin Dumani në krye të SPAK-ut.

Ndërsa, i preferuari i qeverisë po themi, apo i faktorëve të tjerë në vend, lobingjeve të ndryshme është, flitet gjithmonë sepse nuk mund të dalë apriori, është zoti Edvin Kondili.

Ndërkohë që, Adnan Xholi, nuk është atashuar në ndonjë faktor apo palë të interesuar në këtë proces. Unë personalisht do doja që të isha ky i fundit drejtues i Prokurorisë së Posaçme, zoti Xholi, sepse në gjykimin tim, përmbush të gjitha kriteret”, theksoi ai.