Serbia kërkesë KFOR-it për zbarkimin e 1000 trupave serbe në Kosovë

Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që t'i drejtohet edhe zyrtarisht KFOR-it për çështjen e kthimit të ushtarëve serbë.

Këtë e konfirmoi para pak çastesh Aleksandar Vuçiç, që siç raporton N1, ky vendim doli nga mbledhja e fundit e qeverisë serbe.

Sipas medias serve, vendimi ishte unanim dhe se palët ranë dakord që vendimi në formë elektronike të niset që sonte në mbrëmje, kurse nesër në mëngjes të mbyllen edhe çështjet administrative.

Se do të bëhet kjo kërkesë, është bërë e ditur pak ditë më parë nga kryenegociatori Petkoviq.

Megjithatë, Zëvendës Ndihmës-Sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ka shtuar se nuk e mbështesin aspak "kërkesën" e Serbisë për zbarkimin e 1000 trupave në Kosovë.

Ai shtoi se ShBA-ja nuk e mbështet fare një kërkesë të tillë dhe se si çdoherë do të jetë garancë për Kosovën.

 “Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” – tha ai.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.