Elon Musk po ndërmerr veprime ligjore për llogarinë që gjurmonte aeroplanin e tij privat

Elon Musk thotë se është duke ndërmarrë veprime ligjore kundër mbajtësit të një llogarie në Twitter që gjurmon aeroplanin e tij privat, duke argumentuar se kjo e rrezikoi djalin e tij.

Llogaria @ElonJet, e cila ka më shumë se gjysmë milioni ndjekës, u pezullua të mërkurën nga Twitter.

Pronari i faqes, Jack Sweeeney, 20 vjeç, përdorte informacione të disponueshme publikisht të gjurmimit të fluturimeve për të bërë postime në Twitter sa herë që aeroplani i Musk nisej dhe zbarkonte diku.

Musk thotë se tani po ndërmerren veprime ligjore kundër Sweeney-t dhe të tjerëve.

“Natën e kaluar, vetura që po e transportonte djalin e tij X në LA u ndoq nga një ndjekës i çmendur (duke menduar se isha unë), i cili më vonë bllokoi makinën në lëvizje dhe u ngjit lart”, shkroi ai në Twitter.

Ai shtoi se çdo llogari që zbulon vendndodhjet e njerëzve në kohë reale do të pezullohet “pasi është një shkelje e sigurisë fizike”.

Sweeney mohoi se incidenti ishte i lidhur me llogarinë e tij kur u pyet nga BBC.

Kjo vjen pasi ai e konfirmoi të mërkurën në llogarinë e tij personale në Twitter se profili ishte pezulluar.

Atë mbrëmje, llogaria e Sweeney-t dukej se ishte riaktivizuar.

Ai shkroi në Twitter: “Po, jam kthyer!”

Pak minuta më vonë llogaria u rendit sërish si e pezulluar. Llogaria e tij personale, @JxckSweeney, gjithashtu është ngrirë.

Sweeney, një student kolegji në shtetin e Floridës, ndau një imazh me CNN të një mesazhi nga Twitter duke thënë se kompania e mediave sociale kishte kryer një “shqyrtim të kujdesshëm” dhe kishte vendosur të ndalonte përgjithmonë llogarinë për shkeljen e rregullave të Twitter.