Bylykbashi takon zyrtarin e lartë të CDU-së: Pluralizmi dhe demokracia nën agresion të hapur nga Rama

Nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi është takuar ditën e sotme me zyrtarin e lartë të CDU-së në Bundestag, Berlin, z. Olav Gutting.

Në postimin e tij në Facebook, Bylykbashi thekson se ka informuar z. Olav Gutting për situatën e rënduar në Shqipëri ku pluralizmi dhe demokracia janë nën agresion të hapur nga Kryeministri Rama.

Sipas Bylykbashit, z. Olav Gutting ishte në dijeni të sulmit mbi Kryetarin e PD Sali Berisha në protestën kundër qeverisë në 6 dhjetor.

Nënkryetari demokrat ka siguruar zyrtarin e lartë të CDU-së se asnjë faktor nuk mund ta pengojë më PD-në në betejën e saj të fortë opozitare për rrëzimin e regjimit hibrid të Ramës dhe se stabiliteti demokratik dhe jo ai autokratik i Ramës janë zgjidhja.

Postimi i plotë:

Një takim dhe shkëmbim shumë i frytshëm si nënkryetar i PD, me deputetin dhe anëtarin e kryesisë së grupit parlamentar të CDU z. Olav Gutting, në Bundestag, Berlin

E informova për situatën e rënduar në Shqipëri ku pluralizmi dhe demokracia janë nën agresion të hapur nga Kryeministri Rama. Z. Gutting, që ishte në dijeni të sulmit mbi Kryetarin e PD, dëgjoi me interes  mbi zhillimet në PD ku vota e antarësisë dhe pëfaqësuesit e zgjedhur prej saj përcaktojnë tashmë drejtimin e veprimit politik të opozitës. Z. Gutting ndoqi me shqetësim përpjekjet e Edi Ramës për të penguar me proçedura gjyqësore PD-në për t’u regjistruar në zgjedhje dhe prishjen e tyre nëpërmjet përdorimit të shtetit, presionit dhe shitblerjes së votës, pengimin e veprimtarisë së PD në parlament dhe si parti politike me qëllim zhbërjen e PD dhe pluralizmit. E sigurova se asnjë faktor nuk mund ta pengojë më PD-në në betejën e saj të fortë opozitare për rrëzimin e regjimit hibrid të Ramës. Stabiliteti demokratik dhe jo ai autokratik i Ramës janë zgjidhja.

Zhbërja e demokracisë, keqqeverisja, korrupsioni qeveritar, hapësira e mbrojtur që qeveria i jep krimit të organizuar, janë probleme akute dhe ndamë qëndrimin e përbashkët se zgjedhjet e lira dhe demokratike, shpejtimi dhe forcimi i integrimit të Shqipërisë në BE janë kurë për këto probleme të rënda.