Boris Johnson fiton mbi 1 milion euro nga fjalimet pas largimit nga posti i kryeministrit

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson ka fituar tashmë më shumë se 1 milion £ (1.2 milion dollarë – 1.116 milion euro) për mbajtjen e fjalimeve të paguara që kur la postin në shtator.

Sipas mediave të huaja,Johnson muajt e fundit ka mbajtur fjalime para bankierëve në Nju Jork, siguruesve në Shtetet e Bashkuara, në një samit të organizuar nga transmetuesi CNN në Portugali dhe një fjalim tjetër në Indi.

Ai merrte pagesa që varionin nga 215,000 deri në 277,000 £ (267,000 deri në 344,000 dollarë) çdo herë, sipas dokumentit zyrtar të publikuar në faqen e internetit të parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar që liston interesat financiare të ligjvënësve.

Johnson, 58 vjeç, u largua nga Downing Street pasi njoftoi dorëheqjen e tij në korrik pas një sërë skandalesh që njollosën postin e tij të kryeministrit, por ende shërben si deputet i partisë konservatore në pushtet.

Ai u përpoq të bënte një rikthim spektakolar politik pasi rënia e shpejtë e pasueses së tij Liz Truss shkaktoi një tjetër garë lidershipi konservator, por deputetët konservatorë mbështetën ish-ministrin e tij të financave Rishi Sunak.

Johnson, i cili mbetet i popullarizuar me anëtarët e konservatorëve, nuk e ka përjashtuar një tjetër mundësi për postin e lartë, duke thënë se ai ishte “i vendosur mirë për të marrë një fitore konservatore në vitin 2024”, ndërsa partia kryesore e opozitës Laburiste po rritet në sondazhe.