Pista e ryshfeteve në Parlamentin Evropian të çon në Marok, ja interesat në lojë

Nga Mauro Indelicato-Il Giornale

Hetimi për korrupsionin e dyshuar brenda Parlamentit Evropian mund të zgjerohet. Dhe jo vetëm për numrin e personave të përfshirë, por edhe për numrin e subjekteve dhe vendeve të treta që mund të kenë luajtur rol në ryshfet. Siç u zbulua nga organet e hetimit në Bruksel, përveç pistës së Katarit, në fakt mund të ketë edhe një pistë marokene pas ryshfeteve që po hetohen nga prokuroria belge. Me Rabatin e interesuar për t'iu afruar parlamentarëve evropianë, sidomos për çështje që lidhen me të drejtat tregtare.

Përfshirja e mundshme e Marokut ka dalë nga informacione që vijnë nga kryeqyteti belg. Nuk ka shumë detaje për momentin, përveç atyre që kanë të bëjnë me lidhjet midis disa prej të dyshuarve kryesorë dhe disa figurave politike në Rabat. Duke filluar me lidhjet midis Antonio Panzerit, ish-deputet i Partisë Demokratike italiane, dhe Abderrahim Atmoun, politikan maroken që më vonë u bë ambasador në Poloni.

Lidhjet që dalin sidomos në përgjimet mes vetë Panzerit dhe gruas së tij, Maria Colleoni, në arrest shtëpie bashkë me vajzën. Në biseda, ai flet për udhëtimet dhe dhuratat që ka marrë në Marok përmes përfaqësuesit të tij në Rabat në Varshavë. ‘I dyshuari ka ndërhyrë politikisht te komponentët në Parlamentin Evropian në favor të Katarit e Marokut, në këmbim të parave e dhuratave. Shpesh ka përdorur mënyra jo korrekte për arritjen e qëllimit’, shkruan prokuroria belge.

Gazeta belge ‘Le Soir’ raportoi për kontroll të shtunën e kaluar në zyrat e eurodeputetit socialist belg Marc Tarabella. Për momentin nuk dihet nëse ai është mes të dyshuarve. Megjithatë, nga media vendase është theksuar se Tarabella konsiderohet ndër më të afërmit me Rabatin. Prandaj është e mundur që hetuesit po përpiqen të hetojnë më tej në pistën marokene.

Ndërhyrja politike në favor të Marokut nga ana e Panzerit thuhet se lidhet mbi të gjitha me votimin në të cilin, më 2019, Parlamenti Evropian miratoi një marrëveshje peshkimi me Rabatin që përfshin në mënyrë eksplicite edhe Saharanë Perëndimore. Domethënë, rajoni i pretenduar nga Maroku, sovraniteti i së cilës njihet  nga SHBA që nga 2020, por statusi zyrtar i të cilit në OKB është ai i ‘territorit joautonom’. Panzeri është ndër deputetët që votuan pro asaj marrëveshjeje, edhe pse sigurisht nuk ishte i vetmi, duke qenë se miratimi erdhi nga 414 kolegë të tjerë eurodeputetë.

Ndikimi real i ish-deputetit mbi votimin mbetet për t’u vërtetuar. Megjithatë, episodi lejon të shohësh se cilat janë interesat e Marokut në raportet me BE. Nëse Katari, vendi tjetër i akuzuar, kishte interes të afrohej me disa deputetë në Strasburg për motive të lidhura me imazhin, sigurisht aspak pozitiv në prag të botërorit të futbollit, Rabati përkundrazi ka dy interesa specifikë: marrëdhëniet tregtare dhe statusin e Saharasë Perëndimore.

Mbretëria e Marokut është partner strategjik për Evropën dhe është lavdëruar nga diplomacia perëndimore për reformat politike dhe për sistemin e qëndrueshëm politik, i konsideruar si ndër më demokratikët në rajon. Ish-ministri i jashtëm italian Franco Frattini, gjatë vizitës në Rabat si President i Këshillit të Shtetit, foli për Marokun si ‘vendi më i stabilizuar në rajon’. Kjo tregon lidhjet midis dy brigjeve të Mesdheut.

Maroku është i interesuar të përfitojë politikisht nga këto lidhje, duke arritur në marrëveshje të rëndësishme tregtare me tregun e përbashkët më të madh në botë. Dhe, nga një këndvështrim thjesht politik, duke u përpjekur që Saharaja Perëndimore të njihet si rajon nën sovranitetin e Mbretërisë së Marokut. Marrëveshja e votuar nga Parlamenti Evropian në vitin 2019 do të binte brenda sferës së objektivave ekonomike të Rabatit. Megjithatë, në shtator 2021, marrëveshjet tregtare ndërmjet BE dhe Marokut u refuzuan nga Gjykata Evropiane. Arsyeja ishte pikërisht përfshirjen e Saharasë Perëndimore në ato dokumente. Për gjyqtarët evropianë nuk është e mundur të eksportohen mallra në një rajon statusi i të cilit, sipas OKB, në nivelin e Kombeve të Bashkuara, është ende i pasigurt. Në këtë mënyrë, apeli i paraqitur nga Fronti Polisario, lëvizja që pretendon sovranitetin e Saharasë Perëndimore dhe që është në luftë me Rabatin, u mbështet.

Kjo bën të kuptohet mirë rëndësia e ndërhyrjes së Marokut në pikën e dytë, që ka të bëjë pikërisht me rajonin e diskutueshëm. Mbretëria e Marokut e konsideron Saharanë Perëndimore me të gjitha efektet e synimet si një pjesë integrale të territorit të saj. OKB e njeh si ‘territor jo-autonom’. Megjithatë, Rabati ka dy elementë politikisht favorizues: prezantimin në vitin 2007 të një plani paqeje, i cili parashikon një autonomi të madhe për Saharanë Perëndimore, në këmbim të njohjes së sovranitetit mbi të; si dhe pozicionin e SHBA, që e konsideron nën sovranitetin maroken që nga nëntori 2020.

Maroku i ka kërkuar vazhdimisht Evropës që të ndjekë linjën e Washingtonit. Edhe pse nuk ka pasur hapje të mirëfilltë në këtë aspekt, disa vende evropiane si Spanja dhe Gjermania kanë shprehur publikisht opinionin e tyre në favor të propozimit maroken për autonominë. Megjithatë, është e qartë se si qeveria e mbretërisë së Afrikës Veriore synon një ndryshim rrënjësor të valles nga ana e evropianëve. Prej këtej rrjedh puna lobuese që rezultoi, sipas magjistratëve belgë, në akte të vërteta korrupsioni.

Megjithatë dyshohet, nëse akuzat e prokuroria belge do të qëndronin, nëse hetimi mund të përfshijë së shpejti përfaqësues të tjerë të institucioneve evropiane. Sepse nëse nga njëra anë Parlamenti Evropian është organi i vetëm i zgjedhur direkt në BE, nga ana tjetër është ndoshta institucioni me më pak ndikim në çështjet më të nxehta. Doha dhe Rabati, për të arritur objektivat e tyre, mund t'u jenë drejtuar edhe figurave më të spikatura se ato të të dyshuarve.

Për momentin, nuk kanë dalë personazhe të planit të parë në skenën politike të BE. ‘Lind pyetja nëse Katari ka bërë një investim inteligjent, duke supozuar se akuzat janë të bazuara’, shkruan Politico.eu.

Një dyshim i shprehur për Dohën, që mund të vlejë edhe për Rabatin. Pastaj shtrohet një pyetje tjetër, sigurisht jo dytësore, e cila kalon nëpër shumë korridore diplomatike në këto orë: a kishte vërtet nevojë Maroku, duke pasur parasysh lidhjet e viteve të fundit në sferën evropiane, të korruptonte disa deputetë në Strasburg?