VIDEO/ Të shtëna me armë zjarri në Shkodër, plumbi thyen xhamin e dritares së një banese

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar këtë mbrëmje në qytetin e Shkodrës. Një plumb ka thyer xhamin e një dritareje të një banese në lagjen Skënderbeg.

Nga hetimet e para dyshohet se në afërsi të zonës së njohur si Penda e lumit Kirit që ndodhet përballë me banesën në vijë ajrore, largësi rreth 100 metra, është shtënë me armë zjarri.

Në banesë ndodheshin banorët. Nga të dhënat e para plumbi dyshohet të jetë qitur nga një pistoletë por fatmirësisht nuk u lëndua askush.

Aktualisht po kryhen hetimet nga ana e policisë e cila ndodhet në vendngjarje.

Policia Shkodër/ Informacion paraprak

Më datë 14.12.2022, rreth orës 20:00, një shtetas ende i paidentifikuar, duke qarkulluar me automjet, në rrugën ‘Hilë Mosi’, në lagjen ‘Skënderbeg’, në ecje e sipër ka qëlluar një herë, me armë zjarri, në ajër.

Si pasojë predha e plumbit ka rënë në dritaren e katit të tretë të banesës së shtetasit P. S., 57 vjeç. Nga rënia e predhës nuk ka mbetur i dëmtuar asnjë person.

Grupi hetimor ka sekuestruar menjëherë pamjet e kamerave të rrugës, në të cilat dallohet drejtuesi i automjetit që ka qëlluar një herë me armë zjarri, në ajër.

Vijojnë veprimet, nën drejtimin e Prokurorisë, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollin e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, në të gjitha rrugët, me qëllim bllokimin e automjetit dhe kapjen e autorit.