SYRI TV/ Gjeli nga simbol në luks, Cerrik, çmimi rritet me 50 %, banorët: Nuk do të blejmë...

Për shumë shqiptarë Gjeli i Detit duket se do të jetë luks në tryezën e fundvitit. Në Cerrik, Gjeli i Detit po shitet deri në 12 mijë lekë për kg, ose rreth 50 përqind më shumë se një vit më parë. Fermerët thonë se shitje nuk ka, ndërsa qytetarët shprehen se nuk do të blejnë gjel për fundvitin, për shkak të  rritjes së çmimit.

Syri tv

Mbarështuesit e gjelit nga fshatrat e Cerrikut tregojnë se çmimi i Gjelit është rritur për shkak të kostove. Madje, ata thonë se as me çmimin prej 12 mijë lekë për kg, nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet.

Mirëpo, teksa tregtarët ankohen për mungesën e shitjeve dhe kostot e larta të mbarështimit, banorët e Cerrikut shprehen se këtë vit nuk do të blejnë gjel deti.

Në të tilla kushte, fermerët shprehen se ky është viti i fundit që rrisin gjela deti.

Aktualisht, çmimi i gjelit të detit peshë e gjallë, varion nga 10 deri në 12  mijë lekë për kg në fshatrat e Cerrikut, duke pësuar një rritje deri në 50  përqind krahasuar me një vit më parë.