Salianji: Shqipëria të jetë e përgatitur për çdo skenar, ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës

Teksa veriu i Kosovës po përjeton tensione, me barrikadat nga serbët dhe disa incidente të regjistruara, deputeti Ervin Salianji kërkoi sot në Komisionin e Sigurisë që të reagohet nga Shqipëria dhe madje edhe të merren masa. I ftuar në Ora News ai thotë se situata është delikate dhe se Parlamenti shqiptar dhe qeveria shqiptare kanë detyrimin të jenë në krah të Kosovës.

Salianji: Situata në Kosovë është delikate, gjuha agresive e përdorur nga kryeministri dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç, vëllai i Ramës në kuptimin metaforik, nxitja që i bën po ashtu Putini këtij konflikti me deklarata e bën situatën delikate. Të gjithë institucionet ndërkombëtare janë shprehur ashtu si institucionet e Kosovës e kanë reagimin e duhur.

Parlamenti shqiptar dhe qeveria shqiptare ka detyrimin të jetë në krah. Dëgjova kryeministrin që tha sot se qeveria e Kosovës i ka të gjithë institucionet legjitime. Padiskutim por në kushtet kur nuk po respektohen këto institucione nga qeveria e Serbisë, qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar e ka dhe në preambulën e Kushtetutës së vet mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë, bashkombasve tanë kudo që të jenë.

Ka detyrimin për të reaguar për më tepër kur kemi pasur shqetësime për moskordinimin dhe mosndarjen e informacioneve nga institucionet e sigurisë. Pavarësisht se një pjesë e PS nuk ishin dakord, ne kemi numrat tanë si opozitë dhe do kërkojmë informacion të plotë nga shërbimet inteligjente të Shqipërisë dhe ministri i Mbrojtjes për të pasur informacion të plotë ku është Shqipëria.

Salianji thekson se Qeveria e Shqipërisë, shteti shqiptar dhe gjithë klasa politike duhet të jetë e dakordësuar për çfarëdo lloj skenari që mund të ndodhë.

Salianji: Kështu ndodhen ngjarjet, të paralajmëruara në Ukrainë. Nuk jemi në të njëjtat kushte por qeveria shqiptare nuk duhet të rrijë larg duke i dhënë bonus Vuçiç.

Pyetjes nëse po bëhet politikë me Kosovën, deputeti demokrat i jep këtë përgjigje:

Salianji: Interesi kombëtar nuk është çështje e politikës e ditës, nuk bëhet për vota se nuk votohemi në Kosovë. Por është në interes kombëtar që ne të vendosim në ullinë e duhur gjithë politikën e jashtme të Shqipërisë, Shqipëria duhet të shohë Serbinë me sytë e Kosovës.

Salianji tha në Komision se nga konstatimet e inteligjencës kosovare, vonohen shkëmbimet e informacioneve nga ana e palës shqiptare.

Ai kërkoi që në Komision të jenë të pranishëm përfaqësues të SHISH apo dhe Ministri i Mbrojtjes.