Tritan Shehu: Ballkani i Hapur solli kërcënimin e Serbisë ndaj Kosovës, nxitet nga Rusia

Deputeti i PD, Tritan Shehu shprehet se rënia e idesë së Ballkanit të Hapur, ku Serbisë i ishte caktuar një rol dominant në rajon, po bën që Beogradi të provokojë konflikte me Kosovën. 

Çim Peka Live, në Syri Tv, Shehu tha Serbinë e nxit Rusia për të zgjeruar zonën e konfliktit drejt Ballkanit Perëndimor.

Tritan Shehu: Serbia po krijon konflikt në mënyrë artificiale me Kosovën. Serbia është e nxitur nga Rusia e cila i ka hyrë një aventure të tillë në Ukrainë dhe kërkon të zgjerojë zonën e konfliktit dhe terreni më i përshtatshëm është Ballkani Perëndimor. Instrumenti është Serbia që tenton përmes Republikës Srbska dhe Veriut të Kosovës. Pse të mos themi që kjo precedentën e ka kur u diskutua ndryshimi i kufijve? Si dhe përmes idesë që t’i jepej Serbisë një dominim në rajon me Ballkanin e Hapur. Dhe tashmë kur duket se këto ide duket që kanë mbaruar, Serbia po hedh provokacione e nxitur nga Rusia. Serbia fytyrën e ka nga Rusia, të mos kemi iluzione. Serbia kërkon edhe të pengojë integrimin tonë në BE.