Berisha: Pa firmën e Ahmetajt nuk merrte vlerë mega-afera e djegësave

Kryetari demokrat, Sali Berisha, doli në një konferencë për të denoncuar skandalin e udhëtimeve luksoze të ish-ministrit socialist, Arben Ahmetaj, me paratë e biznesmenit Klodian Zoto.

Sipas tij, kjo fakton denoncimet e opozitës për mega-aferën e djegësave. Berisha tha se Ahmetaj ka udhëtuar jo me paratë e Zotos, por paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Arben Ahmetaj është personi, pa firmën e të cilit, nuk mund të merrte vlerë asnjë dokument i kësaj afere.

Është personi që së bashku me Edi Ramën, kanë firmosur vjedhjen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.

Nuk është rastësi që ministri më i fuqishëm i Ramës, Tigri i oborrit, rrëzohet në të njëjtën makinë me Zoton e tij, dhe fle në të njëjtin hotel luksoz me këtë person.

Askush të mos gënjehet. Hotelet e shtrenjta nuk janë paguar me kartat e kreditit të Zotos. JO! Ato janë para të taksapaguesve shqiptarë, që Rama ua merr dhe ua kalon vetes, ministrave dhe hajdutëve të oborrit.

Këto para kanë ikur për blerjen e votave, për lobimet korruptive ndërkombëtare dhe për blerjen e drejtësisë,” tha Berisha.