Gërvalla: Borrell duhet t`i dënojë edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës

Prishtinë - Zëvendëskryeministrja njëherit, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka reaguar përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, i cili në reagimin e djeshëm të tij rreth zhvillimeve në veri nuk dënoi fare sulmin që iu është bërë pjesëtarëve të Policisë së Republikës së Kosovës , shkruan RTK.

Kryediplomatja kosovare në rrjetin social 'Twiiter' ka shkruar se deklaratat që nuk dënojnë Vuçiqin për agresionin e tij të hapur inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejshëm.

“Çdo jetë ka rëndësi. Borrell gjithashtu duhet të dënoni të shtënat ndaj Policisë së Kosovës, e cila është duke e përmbushur detyrën e saj dhe duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Republikës së  Kosovës nga sulmet e bandave kriminale”, tha ajo, raporton RTKlive.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, reagoi sot për zhillimet në veri, por nuk dënoi sulmin ndaj policisë së Kosovë.

Reagimi i tij vjen pasi njësiti i EULEX-it është sulmuar me shok-bomba në veri në afërsi të barrikadave në Rudar. “BE-ja nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it apo përdorimin e dhunës, e akteve kriminale në veri”, deklaroi Borrell në një postim në Twitter. “Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës”. Ai deklaroi se qetësia duhet të kthehet. “EULEX-i do të vazhdojë të koordinojë veprimet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in”. Sipas Borrell, gjithë akterët duhet të evitojnë përshkallëzimin.