Superiore/ Përfundojnë dy ndeshjet e para të javës së 13-të, fitojnë skaudrat mike

Përfundojnë dy ndeshjet e para të javës së 13-të në Kategorinë Superiore.

Si Laçi ashtu edhe Teuta fituan me rezultatin 1-0 në transfertë, respektivisht ndaj Bylisit dhe Kukësit.

Golin që i dha fitoren kurbinasve e realizoi Adeleke Akinyemi në minutën e 40-të, ndërsa në triumfin e Teutës shënoi Lorenco Vila në minutën e 61-të.

E nisi kështu me “këmbë të mbarë” trajneri Edi Martini eksperiencën e tij të katërt në krye të durrsakëve ndërsa synon që të ringrejë skuadrën pasi “Djemtë e Detit” janë në vështirësi këtë sezon dhe aktualisht pavarësisht tre pikëve ndaj Kukësit, sërish mbeten të fundit me 11 pikë. Gjithsesi, suksesi në “Kukës Arena” është një sinjal i mirë për vazhdimësinë.

Ndërkaq, vijon periudhën e errët edhe Kukësi që shkon në kuotën e pesë ndeshjeve pa fitore, nga të cilat koleksionon plot katër humbje. Aktualisht, verilindorët e drejtuar nga trajneri Enkeleid Dobi mbeten në kuotën e 12 pikëve në vend të tetë.

Ndërkohë, në sfidën tjetër, pas këtij suksesi, Laçi ngjitet në kuotën e 17 pikëve dhe mban vendin e gjashtë në klasifikim, ndërsa nga ana tjetër, ballshiotët janë në vend të nëntë me 12 pikë.