Vendimi për votën e emigrantëve, Haçkaj: Gjykata konstatoi shkelje të Kushtetutës më '25 prill'

Florjan Haçkaj nga 'Diaspora për Shqipërinë e Lirë' komentoi në edicionin e pasdites me Eneida Ndocin në Syri Tv vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i jep zyrtarisht të drejtën emigrantëve të votojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Florjan Haçkaj deklaroi se vota e emigrantëve u fut në kodin zgjedhor që në vitin 2020 dhe me konstituimin e KQZ-së së re në nëntor 2020 iu la mundësi që deri më 25 prill të mundësojë votën, por kjo ishte e pamundur dhe një tentativë ‘për të larë gojën’.

“Të gjithë e dinim që kjo ishte e pamundur dhe tentativë për të larë gojën, por për ta zgjidhur u bëmë pjesë e tryezës së punës me KQZ-në që kur u konstitua.

Kemi punuar fort nga ana teknike për të mundësuar votën e diasporës. Fitorja e djeshme është një ogur i mirë dhe një shpresë që drejtësia ende ekziston në Shqipëri.

Në unanimitet të plotë u vendos pro kësaj çështje. U pranua pjesërish kërkesa jonë. Kishim kërkuar dhe konstatimin e cënimit apo paligjshmërisë së vendimit për të mos lejuar shqiptarët nga RMV apo Greqia fiks për zgjedhje duke përdorur pandeminë.

E thënë thjeshtë, Gjykata ka konstatuar shkeljen e Kushtetutës në zgjedhjet e kaluara të vitit 2021.”-tha Haçkaj.

Nëse ky vendim do vihet në zbatim në zgjedhjet e ardhshme, Haçkaj tha se duhet të presim botimin në fletoren zyrtare dhe të shihet argumentimi nga ana e Kushtetueses.

“Besojmë patjetër, se ndryshe nuk do i ishim futur kësaj pune. Janë 1.4 milionë shqiptarë me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit nga statistikat më të reja të INSTAT, që janë të vjetra, të 3 viteve më parë.”-tha Haçkaj.