Edi Rama ‘shkarkon’ Yuri Kim, zyrtari i DASH anashkalon Shqipërinë

Një ditë më parë, një lajm bëri shumë bujë jo vetëm në median tradicionale, por edhe në atë sociale.

Qeveria shqiptare lajmëroi në mënyrë të pazakontë dhe të paprecedent, se ka nisur procedurat për largimin e Yuri Kim nga Shqipëria.

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që qeveria të bënte një njoftim të tillë, ndërsa dukej qartë se ky ishte një mesazh direkt për Yuri Kim.

Mendohet se kjo situatë lidhet me përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të marrë në dorë edhe drejtuesin e SPAK, ndërkohë që e gjithë arkitektura e drejtësisë së re kontrollohet plotësisht prej tij.

Ambasada amerikane nuk ka reaguar për këtë çështje, ndërkohë që një zyrtar i Departamentit të Shtetit ka vendosur të vizitojë rajonin këto ditë.

Megjithatë, ai ka shmangur Shqipërinë nga turi i tij. Nuk dihen shkaqet e këtij vendimi.

Në njoftimin e DASH bëhet me dije se Derek Chollet do të udhëtojë në Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë me një delegacion ndërinstitucional.

Turi i tij ballkanik do të zhvillohet nga data 11-17 dhjetor. Sipas DASH, kjo vizitë nënvizon përkushtimin e qëndrueshëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.