Konventa e Bernës, aktivisti Xherri: Ekspertët panë një marrëzi në aeroportin e Vlorës! Bashmili: Pengesë për integrimin

Kristi Bashmili nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë dhe aktivisti Xhemal Xherri, komentuan në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv kërkesën e Komitetit të Konventës së Bernës për pezullimin e punimeve për ndërtimin e aeroportit të Vlorës dhe ndërmarrjen e një programi gjithëpërfshirës të monitorimit të jetës së egër si dhe rishikimin e të dhënave për ndikimin në mjedis.

Aktivisti Xhemal Xherri tha se Komiteti i Bernës është Konventa, një marrëveshje që ka si qëllim ruajtjen e jetës së egër dhe habitateve. Sipas tij, ekspertët e huaj erdhën në vendin tonë dhe panë një marrëzi pasi qeveria po ndërtonte një aeroport në mes të një zone të mbrojtur.

"Prej disa kohësh janë vënë në dijeni për disa projekte të ndryshme që bien ndesh me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit. Një prej tyre është dhe çështja e aeroporitt. Pas disa thirrjeve, bashkë me disa konventa të tjera, u shqetësuan dhe erdhën në vendin tonë për të parë situatën në terren, për të parë çfarë ishte ky aeroport në mes të një zone të mbrojtur.

Panë një marrëzi, se si qeveria po ndërtonte këtë aeroport në mes të një zone të mbrojtur. Kanë shkruar një raport. Ekspertët, të huaj, dhanë sugjerimet e tyre dhe shprehën shqetësimet për këtë ndërtim në zonën e mbrojtur dhe pasojat që mund të sjellë. Sugjeruan ndalimin e punimeve të aeroportit të Vlorës."-tha Xherri.

Kristi Bashmili nga ana tjetër u shpreh se ata dhanë një mesazh të qartë ndërsa shtoi se Konventa është një instrument ligjor detyrues për vendet anëtare. Bashmili deklaroi se rekomandimi që ka ardhur për pezullimin e aeroportit është shumë i drejtë pasi mund të ketë ndikime të pakthyeshme.

Përballesh dhe me sanksione të tipit largimi nga kjo Konventë, që ndikon në imazhin tonë, politikave tona, që s’do kenë qasje të qëndrueshme. Rekomandimet e kësaj konvente do jenë në tryezën kur të diskutohet integrimi i Shqipërisë në BE, çka është një pengesë sa i përket kapitullit të mjedisit, do jetë një njollë e zezë për politikën tonë dhe njollë e zezë për sa i përket marketimit tonë si një vend me politika të qëndrueshme në drejtim të natyrës.”-tha Bashmili.