Dita e Rinisë, fjala e plotë e Berishës: Një njeri mund të gjuhet, mund të vritet, por kauza nuk vdes kurrë!

Fjala e plotë e Kryetarit të PD, Sali Berisha, në aktivitetin e FRPD me rastin e Ditës së Rinisë, 8 dhjetor 2022.

Të dashur delegate dhe delegatë të Kuvendit Kombëtar të Forumit Rinor të PD.

Të dashur anëtare dhe anëtarë të Forumit Rinor të PD kudo që ndodheni sot.

I dashur Besart, kryetar i FRPD.

Të dashur drejtues të mëparëshëm të kësaj organizate, me një histori dhe të ardhme të jashtëzakonshme, me një rol sa madhor në historinë e këtij vendi, në historinë e lirisë së shqiptarëve, po kaq të madhërishëm për të ardhmen e Shqipërisë dhe Kombit Shqiptar.

Sot, ne mblidhemi në këtë Kuvend, pasi ju drejtuesit tuaj, anëtarët, anëtaret e PD, u shndërruat në fibrën më të fuqishme të rithemelimit të PD, të rivitalizimit të saj.

U shndërruat vis vitalis, të atij revolucioni i cili kishte dy qëllime madhore. Shpëtimin e PD dhe shpëtimin e Shqipërisë. Ju vini krenar, pasi keni realizuar me sukses të plotë misionin e parë. Ju vini krenar dhe më të vendosur se kurrë, më të fuqishëm, më të vendosur, në misionin tuaj të dytë, i cili është një mision i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë.

A do mundeni ju me energjitë, me guximin, me përkushtimin tuaj të shpëtoni Shqipërinë e cila ndodhet në një rrokullisje të madhe. E cila përballet sot me pasoja të një pushtimi të brendshëm ndër më të egrit të ekzistencës sonë kombëtare.

A do mund të shpëtoni ju sot Shqipërinë, e cila është sot, vendi, shoqëria më e adresuar, më viktimë e mafias shqiptare rajonale dhe botërore?

Shtroj këtë pyetje, por bindja ime e thellë është se ju keni të gjithë potencialin, keni të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend, për ta vendosur atë përsëri në rrugën e të ardhmes, në rrugën e dinjitetit kombëtar, në rrugën e integrimit euroatlantik.

Asnjëherë mos harroni, se jeni trashëgimtarë të një lëvizje, e cila me një guxim e epik, e cila në kufijtë e legjendës, u përball në vitët 90 me diktaturën staliniste më të egër, më çnjerëzore, më barbare që europa kishte njohur në historinë e saj. Me diktaturën komuniste e cila në kohën kur bashkëmoshatarët tuaj mbushën, me në krye Azem Hajdarin, mbushën sheshin dhe rrugët e Qyteti Studenti.

Diktatura, korrte dhe vriste me një barbari të pashoqe, bashkëmoshatarët e tjerë që që niseshin për të arritur në botën e lirë, por mbeteshin nën breshëritë e kallashnikovëve të rojeve të vdekjes.

Megjithatë ata të rinj, ata studentë , udhëhiqeshin po nga një i ri, po nga një bashkëmoshatari juaj, Azem Hajdari, i shndërruar në 24 orë, një hero i papërsëritur në historinë e lëvizjeve revolucionare në një lider legjendar, e gjunjëzuan diktaturën dhe diktatorin.

I imponuat atij, vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Në një betejë të pashembullt në katër anët e vendit, përmbysën me votë e lirë diktaturën komuniste në Shqipëri.

Kjo është trashëgimia e juaj, e cila do ju frymëzojë ju dhe gjithë shqiptarët në betejën për liri dhe dinjitet.

Është kjo trashëgimi e juaja. E cila ju fton ju sot me guxim dhe kurajo, që të ngriheni në lartësinë e idealeve fisnike. Të ngriheni në lartësinë e idealeve fiksike të bashkëmoshatarëve tuaj 30 vite më parë.

 Kështu që sot, fjala dhe kryefjala e ditës dhe e kohës është vetëm dhe vetëm një, është revolucion dhe vetëm revolucion.

Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, Shqipëria nuk shpëtohet me deklarata. Shqipëria shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë guximtarët, ata që e duan, ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju, që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë, dhëmb për dhëmb me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën, këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve.

Miqtë e mi!

FRPD dhe PD, prej një viti u angazhuan në një përpjekje të madhe, të ndershme, transparente, të sinqertë, për të vendosur votën brenda tyre në piedestal. Zhvilluam Primaret, zhvilluam Referendumet, i zhvilluam të gjitha këto, në mënyrë që secili prej jush, secili anëtar dhe anëtare e PD, të ketë pushtetin dhe dinjitetin e vetë. Të vendosë me votën e tij. Por këtu nuk kemi në qëllim vetveten. Këtu nuk kemi për qëllim veten tonë. Ne do bëjmë gjithçka që këto t’ja garantojmë çdo qytetari shqiptar.

Atij që na do, dhe atij që s’na do!

Atij që na voton, dhe atij që s’na voton!

Sot njësoj si 40 vjet më parë, si 30 vjet më parë, në pushtet është një klik që urren liritë tuaja.

Në pushtet është një njeri, që ë ka shndërruar shtetin në një makinë monstruoze, të shtypjes, të rrëmbimit, të plaçkitje së votës.

Në pushtet është një njeri që përdor mijëra e qindra milionë para të baballarëve dhe nënave tuaja, taksa për të blerë dhe plaçkitur votat. Në qytet është një njeri që ka krijuar, një armatë të zezë të patronazhistëve, të cilët në segmente të tëra si terroristë të kuq terrorizojnë nënat, motrat, baballarët tuaj.

Zinxhir kërcënimesh njerëzore!

Në pushtet është një njeri që po bën gjithçka, jo për të ardhmen tuaj, jo për shkollimin tuaj, jo për për universitett tuaja,  por për narkotrafikantët, atyre po u përpiqet t’ju ofrojë pasaporta të arta. Kurse ju përpiqet që t’ju largojë me shpejtësi nga vendi.

Në pushtet është një njeri që pasuritë përrallore që ka ky vend, dhe ua them unë juve, ju jeni të rinj, por mbajeni mend, nuk ka vend me pasuri përrallore si Shqipëria, por ky këto pasuri i ka kthyer në mallkim për ju, mallkim për nënat, baballarët tuaj, motrat dhe vëllezërit.

Prandaj dhe ata ia mbathin, largohen me të katrat nga Shqipëria dhe marrin detrat, marrin rrugët e botës sikur ky vend të ishte një vend i mallkuar. Ky është vend i bekuar, por Edi Rama me këtë klikë, e shndërron atë në një vend të mallkuar ku shqiptarët mendojnë dhe besojnë se nuk mund të ndërtohet e ardhmja.

Por ju do ia dilni, ne do ia dalim, sepse ne i dalim zot Shqipërisë, ne i besojmë Shqipërisë. Ne jemi gati të luftojmë çdo armik të saj, çdo pushtues të saj, çdo mafie te saj.

Asgjë nuk na ndalon ne pa realizuar qëllimet tona!

Edi Rama, ky frikacak, nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan.

Një njeri mund të gjuhet, mund të vritet, por kauza nuk vdes kurrë, mor mjeran.

Ne do e faktojmë shpejt Edi Rama se kauza jonë do triumfojë. Se Shqipërinë nuk ta japim kurrë, se lirinë nuk ta japim kurrë, se votën e lirë nuk ta japim kurrë!

Ata që kanë luftuar pushtuesit në histori, i kanë luftuar me moton: ja vdekje, ja liri, kurse ne pushtuesin tonë do e luftojmë me moton: jetën e japim, votën nuk ta falim.

Mjerë ti që ke prekur votën tonë!

Ju e mbyllni këtë Kuvend të mrekullueshëm, PD mbylli primaret.

Fillon faza e dytë e revolucionit, është përballja me të gjithë potencialin tonë me këtë armik, me këtë pushtues që ushtron gjenocid mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Unë kam besim të madh se secili prej jush, e ka shumë të qartë se koha na fton: aksion, aksion dhe vetëm aksion.

E keni të qartë se liria na fton: sakrificë, sakrificë dhe vetëm sakrificë.

Unë jam i bindur se ju e keni të qartë, se çfarëdo të bëjmë ne për Shqipërinë, ajo ka bërë 100 herë më shumë për ne, prandaj ne do i dalim zot asaj.

Ju uroj suksese nga zemra këtij Kuvendi dhe pres me padurim të madh të dalim së bashku në sheshin e betejës në emër të lirive tona, të shpresës, besimit dhe dinjitetit shqiptar.

Rrofshi ju!

Rroftë Shqipëria