Kosovë, ministrja e Drejtësisë: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori!

Prishtinë -  Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, është paraqitur sot në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku ka bërë të ditur se mbrëmjen e djeshme janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë.

"Mbrëmë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Ky është një akt i rëndë e kriminal. Menjëherë e kam njoftuar u.d. kryeprokurorin Besim Kelmendin dhe drejtorin e policisë, Fehmi Hotin, derisa në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Nga këto institute dy epruveta me gjak ja ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka bërë të ditur se qasje në laboratorin ku mbaheshin mostrat kanë pasur tre persona. “Vetëm 3 persona i kanë çelësat e laboratorit", ka shtuar ajo.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë kjo ngjarje i qet hije dyshimi të gjithë Institutit të Mjekësisë Ligjore. “Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt. Nëse ndiqet ky protokoll kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim”, ka thënë Haxhiu.

Ajo është shprehur e bindur se autorët e këtij akti kriminal do të gjenden, teksa ka thënë se ata që kanë pasur dorë në zhdukjen e këtyre mostrave e kanë për motiv dëmtimin final të rastit Dehari. “Autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht. S’ka dyshim e as kompromis”, ka nënvizuar Haxhiu.