FOTOT/ Berisha pret Mesiç: Më goditi një informator i policisë me porosi të Çuçit dhe vetë Ramës

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka pritur sot në zyrë ish-Presidentin e Kroacisë Stipe Mesiç dhe ka zhvilluar një bisedë miqësore të përqendruar te sulmi i ditës së martë dhe gjendja politike në vend.

“Kam qenë shumë i shqetësuar dhe kam pyetur ndihmësit e mi çdo 15 minuta”, i tha Mesiç Berishës. “E kam ditur që në fillim se është një sulm i organizuar. Përvoja ime e gjatë në politikën ballkanike më tregon se kjo nuk mund të ishte një rastësi”. 

Kryetari i PD i ka shpjeguar mikut të Shqipërisë dinamikën e ngjarjes duke theksuar se goditja u bë nga një informator i policisë, me porosi të ministrit Çuçi dhe vetë Edi Ramës.

Më pas Berisha u ndal te dramat aktuale të Shqipërisë, shpopullimi dhe rënia e pluralizmit nëpërmjet paralizimit dhe manipulimit të votës së lirë, por edhe përpjekja për të zhdukur opozitën.

Ish-presidenti kroat tha se kryetari i PD është dëmtuar fizikisht, por është ndihmuar politikisht.

“Ata ju kanë bërë nder me këtë sulm dhe kanë dëmtuar veten”, shtoi ai. Mesiç i tha Berishës “ju jeni babai i demokracisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Ju i duheni Shqipërisë, shqiptarëve dhe Europës, sepse jeni demokrat”, përfundoi ai.

Në fund pyetjes se pse kundërshtari i tij mund ta bëje këtë, Berisha iu përgjigj: "Edi Rama nuk e gëzon dot një sukses të vetin, sado i madh qoftë, pa dhunuar kundërshtarin. Është në psikikën e tij”. 

Zoti Berisha në mbyllje të takimit e falenderoi zotin Mesiç për kujdesin, interesin dhe miqësinë e tij për të dhe shqiptarët.