Kim Mehmeti: Rama, rrugaç që promovon dhunë! I pëlqejnë më shumë lotët e femrave se përballja me meshkujt

Shkrimtari i njohur, Kim Mehmeti, ka komentuar sot më gjerësisht shkrimin e botuar një ditë më parë në faqen e tij të Facebook, teksa shkruante ndër të tjera se Edi Rama është jargavitës ndaj të huajve dhe dhunues ndaj shqiptarëve.

Në një lidhje Skype për rubrikën “Opinion” me gazetaren Nisida Tufa, ai tha se kryeministri Edi Rama prej kohësh përdor një fjalor rrugaçi dhe se politika e tij promovon dhunën. Mehmeti tha se Rama kurrë nuk thotë asnjë fjalë të mirë për politikanët e tjerë, përfshirë dhe ata të Kosovës apo Maqedonisë, por vetëm për ata që i mendon se janë inferiorë ndaj tij.

Në këtë linjë ai tha se Rama ka në kabinetin e tij më shumë femra, jo për arsyen që ai vetë promovon, por sepse mendon se ato nuk mund t’i kundërvihen aq ashpër sa mund të bëjnë burrat.

“Kryeministri prej kohësh përdor një fjalor rrugaçi, që frymëzon edhe rrugaçërinë, edhe njerëzit që nuk mund të kontrollohen, kështu mendoj se arriti aty ku duhej të arrinte. Pra Shqipëria e shfrytëzon pozitën e BE, nga ana tjetër gjithë këtë kryeministri e mbulon për të fshehur realitetin e brendshëm të vendit.

Kemi një situatë absurde, pra sa më pro-perëndimor janë pushtetet, aq më të kriminalizuara janë shoqëritë. Sa më shumë i jargavitet piktori të huajve, aq më arrogant është ndaj shqiptarëve.

E pashë kryeministrin sesi u gjunjëzua para një kryeministri të huaja, e pashë të buzëqeshur, unë kurrë nuk e kam parë të buzëqeshur para ndonjë shqiptari, gjithmonë është i vrenjtur, qëllimkeq. Ka nisur të më bindë se ne shqiptarët mund të prodhojmë politikanë shumë të përshtatshëm për perandori, por jo pushtetarë që janë të përshtatshëm për shqiptarët. Që të jesh pro-perëndimor, fillimisht duhet të jesh pro-shqiptar.

Pesimisti është optimist i mirëinformuar… si mundem të mendoj ndryshe kur 10 vite e dëgjoj vetëm rrugëve me fjalor përçarës, grindavec, ku thuhet se ai është i vdekur, pra kur kryeministri i vendit tim i shpall të vdekur kundërshtarët e mi, apo kur i kujtohet pas 8 vitesh cili hotel është i paligjshëm, dhe me shpërthime e rrënon atë vetëm që të mos shihen ato mijëra kate që janë ndërtuar në kohën e tij pa leje. Ndodhin gjëra që janë absurde dhe nuk i kanë hije një pushtetari. Nuk i ka hije kryeministrit ajo që i ka hije kryeministrit. Sjelljen që mund të ketë një rrugaç ndaj meje, nuk mund të përdorë kryeministri.

Është e rrezikshme të futeni në Tiranë natën nëse jeni kritik i kryeministrit. Shqipëria politike frymëzon vetëm dhunën, jo pajtimin. S’kemi dëgjuar nga kryeministri i Shqipërisë asnjë fjalë të mirë për ndonjë politikan, përfshi Kosovën apo Maqedoninë. Ai lavdëron vetëm ata që mendon se i ka nën vete.

Nuk dua të them se ato zonja që janë në qeveri janë inferiore, por ai i fut vetëm sepse mendon se kur femrën e lëndon, ajo qan, ndërsa burrat shajnë. Ka bërë një qeveri me femra sepse nuk përballon dot fjalët e burrave, i pëlqen më shumë lotët e grave, mendon se ato janë më të dëgjuara dhe ato nuk mund ta ofendojnë siç do të bënin burrat”, tha ai.