KOKOE: Qendrat e votimit mbyllen kur të ketë votuar edhe personi i fundit

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njoftoi zyrtarisht se votimet për primaret do të zgjasin deri sa të ketë votuar edhe personi i fundit.

NJOFTIMI ZYRTAR

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton që ditën e djelë, datë 4 dhjetor 2022, janë duke u  zhvilluar votimet e Primareve për kandidatët për Kryetarë Bashkie të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Procesi i votimit ka nisur dhe po zhvillohet normalisht në të gjitha degët ë Partisë Demokratike ku zhvillohen Primaret sot! 

Procesi i votimit do të mbyllet në orën 18:00. Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit. 

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit: në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit. 

Data 4 dhjetor është një ditë historike jo vetëm për PD por për të gjithë shqiptarët! Anëtarë e simpatizantë të PD do të zgjedhin me votën e tyre kandidatin e tyre për kryetar të bashkisë.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale fton të gjithë anëtarët e simpatizantët e PD të bëhen pjesë e procesit të Primareve.