Afera e Portit të Durrësit, Sali Berisha: Rama po zhbën Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim me banorët e njësisë 7 në Tiranë deklaroi se kryeministri Edi Rama po zhbën Shqipërinë.

Berisha përmendi projektin e Portit të Durrësit që dyshohet se kemi të bëjmë me aferën korruptive të radhës nga qeveria ndërsa shtoi edhe njëherë se duhet t’i bëjmë me dije liderëve të BE-së se do të kenë një hajdut në tavolinën e tyre, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama.

Merrni Portin e Durrësit. Gjendet një arab i cili ka pasion investimin tek diktatorët, me Llukashenkon dhe të tjerë e i thotë Edi Ramës do të të bëj të pasur si veten. Hajt ta marrim bashkë këtë portin.

Portin nuk ua ka marrë shqiptarëve asnjë pushtues.

Porti sot është pasuria më e madhe publike e shqiptarëve. Përpunon 4.8 milionë ton. I shpërndan në zemrën e Shqipërisë, ku janë rreth 2 mln shqiptarë pothuajse. Në distancën më të shkurër, transportin dhe koston më të ulët për shkak të distancës.

Tani, ne do të blejmë mallra sepse do të bëhet miliarder Edi Rama, që transportohen nga Tivari në Tiranë, nga Selaniku në Korçë, nga Igumenica në Vlorë e Gjirokastër.

Kush do të paguajë koston e këtij transporti. Ne, qytetarët me çmime në dyqan.

Si merr me 1 euro 200 hekratë tokë, u ka vënë çmimin e apartamenteve me 3000 euro metrin katror. Po kështu hotelet dhe molet në Durrës, ndërton Dubain e tij dhe mjerimin e shqiptarëve.

Tani thotë se do të ndërtojë port, por nuk ka ndërmend të ndërtojë port. Ai ka ndërmend të mbyllë portet, si antishqiptar dhe i mbylli, Sarandën e ka mbyllur, Vlorën po, edhe Durrësin tani dhe rroftë Shëngjini, por Shëngjini është me kufizime të mëdha, është një port i vogël.

Pra ky po zhbën Shqipërinë edhe gjeografikisht. Prandaj dhe ne duhet të ju themi atyre, ky po na vjedh, po na vjedh në këtë mënyrë. Ne jemi këtu, hajdutin e keni në tavolinë.”-deklaroi Berisha.