SYRI TV/ Shpopullimi masiv: Rritet numri i aplikimeve për azil në BE

15.3 mijë shqiptarë kanë ikur zyrtarisht në Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe këtë vit. Sipas të dhënave të Eurostat, mësohet se numri i aplikimeve për azil është rritur, pasi vetëm për periudhën janar gusht numëroheb 6720 aplikime. Franca vijon të mbetet më e preferuara për azilkërkuesit dhe pas saj vjen Gjermania me rreth 21% të aplikimeve

SYRI TV

Aplikimet për azil kanë vijuar tendencën rritëse përgjatë këtij viti, ndonëse ato mbeten më të ulëta në krahasim me periudhën e para pandemisë. Sipas statistikave të Eurostat, në gusht është regjistruar numri më i lartë i aplikimeve për azil për këtë vit, duke arritur në 950.

Për gjithë periudhën janar-gusht janë shënuar gjithsej 6720 aplikime, me një rritje prej 65% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, në krahasim me para pandeminë, aplikimet për azil mbeten 43% më të ulëta për të njëjtën periudhë.

Të dhënat paraprake për shtatorin, ku nuk raportohen të gjitha shtetet, tregojnë se tendenca është përshpejtuar. Nga të dhënat e deritanishme janë gati 1400 aplikime për azil vetëm në muajin shtator. Që prej vitit 2019, Eurostat nuk i raporton më të dhënat për aplikimet në Mbretërinë e Bashkuar.

Statistikat e tjera të Mbretërisë së Bashkuar në faqen e internetit www.gov.al, tregojnë se vetëm në 6- mujorin e parë të vitit kërkuan azil nga Shqipëria 7,267 persona, 8% më shumë se sa aplikuan në të gjitha vendet e Bashkimit Europian për 8 mujorin.

Në total, duke përfshirë aplikimet në BE së bashku me të dhënat paraprake për shtatorin dhe aplikimet në Mbretërinë e Bashkuar, për 6 mujorin, numri i personave që kanë ikur zyrtarisht këtë vit është rreth 15.3 mijë.

Në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të detajuara të Eurostat, Franca vijon të mbetet më e preferuara, me gjysmën e aplikimeve që shkojnë në këtë shtet, të njohur për politikat sociale. Pas Francës renditet Gjermania me rreth 21% të aplikimeve.