VIDEO-SYRI TV/ Skandali me asgjësimin e përgjimeve të Taulantit: Gjykata në shkelje flagrante të ligjit

SYRI TV

Gjykata dhe Prokuroria e Elbasanit kanë marrë një vendim në kundërshtim flagrant me ligjin, kur kanë vendosur asgjësimin e përgjimeve të Taulant Ballës, menjëherë pas vrasjes së tre personave në qytet, në shkurt të vitit 2016.

Gazetari Basir Çollaku publikoi ditën e djeshme vendimin e plotë të gjyqtares Zamira Vyshka, e cila aktualisht është në arrest shtëpie, e akuzuar nga SPAK për përfshirje në korrupsion.

Prokurori që ka bërë kërkesën për asgjësimin e përgjimeve të Ballës është Pertef Asllani, i cili në atë kohë sapo ishte rikthyer në detyrë, pas një pezullimi 6-mujor për probleme me pasurinë.

Sipas vendimit të gjykatës, është miratuar asgjësimi i bisedave telefonike të kreut të grupit parlamentar socialist, pasi oficeri i Policisë Gjyqësore ka bërë një lapsus në referimin e numrit të tij.

Argumenti është tërësisht në kundërshtim me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale. Vendimi nuk jep asnjë argument se ku qëndron lapsusi dhe përse gjykata duhet të revokonte një vendim që kishte dhënë vetëm dy ditë më parë për përgjimin e numrit të shtetasit me emrin Taulant.

Kodi i Procedurës Penale parashikon se asgjësimi i përgjimeve kryhet me kërkesë të të interesuarit, pra të përgjuarit, kur ai vihet në dijeni dhe kur qartësisht nuk ka lidhje me hetimin.

Ndërsa prokurori, gjatë fazës së hetimit, në rast se konstaton se përgjimet janë pa interes për hetimin kërkon ndalimin e interceptimit. Përgjimet pa interes për hetimin vlerësohen vetëm në përfundim të veprimeve procedurale, në harmoni me të gjithë provat e tjera.

Prokurori mund të kërkojë asgjësimin e përgjimeve në rastet e pushimit të hetimeve ose kur, në përfundim të të gjithë veprimeve procedurale të dosjes, konstaton se ato nuk i shërbejnë çështjes.

Në rastin konkret, gjykata ka vendosur asgjësimin e përgjimeve të shtetasit Taulant, në një moment kur hetimi sapo kishte nisur dhe autoritetet ishin në ndjekje dinamike për të zbuluar autorët e vrasjes së trefishtë.

Asgjësimi i tyre rezulton se është kryer pa u bërë më parë një vlerësim nëse kanë interes për hetimin, janë të vlefshme apo jo. Ai hetim ende edhe sot nuk është përfunduar dhe për këtë arsye të gjitha përgjimet, përfshirë edhe ato 48 orë të shtetasit Taulant, duhet të ishin pjesë e dosjes.

Por, prokuroria dhe gjykata e Elbasanit ndërhynë me urgjencë, duke dëshmuar se i kanë shërbyer më së miri politikanit të lartë qeveritar, e duke shkelur me vetëdije parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.