Lirimi i infermiereve/ Avokati i viktimës: Ka rënë besimi në drejtësi

Avokati Meshari Selimaj i familjes së të moshuarës që u dhunua brenda qendrës 'Orenda' në Pejë, ka reaguar për tvklan.al pas vendimit për lirimin nga paraburgimi të 3 infermiereve të akuzuara.

Për tvklan.al, avokati i familjes ka thënë se vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme të Kosovës ka shuar besimin për drejtësi.

“Vendimi i Gjykatës Supreme për lirimin nga paraburgimi i të pandehurave në këtë fazë të procedurës ku akoma nuk ka përfunduar procedura hetimore dhe akoma ekziston rreziku i madh që të ndikohet në ndryshimin dhe asgjësimin e provave, është tregues i qartë se cilat janë tendencat për trajtimin e mëtejshëm të këtij rasti, relativizimi i tij, dhe në fund lirimi nga aktakuza apo shqiptimi i ndonjë dënimi me gjobë. Me ditën e sotme besimi në drejtësi për këtë rast u shua”, shprehet avokati Meshari Selimaj për tvklan.al.

Gjykata Supreme e Kosovës liroi nga paraburgimi 3 infermieret që dhunuan të moshuarën brenda azilit të qendrës 'Orenda' në Pejë të Kosovës.

Ato u arrestuan në fillim të nëntorit dhe u lanë në paraburgim për 1 muaj, por Gjykata Supreme i liroi sot duke pranuar kërkesën e avokatëve mbrojtës dhe hetimin e tyre në gjendje të lirë.