Vendimi: Lefter Koka do të mjekohet jashtë burgut sa herë të ketë nevojë

GJKKO ka vendosur t’i japë mundësinë ish-Ministrit të Mjedisit, biznesmenit Lefter Koka që të marrë trajtim mjekësor edhe jashtë mjediseve të paraburgimit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, sa herë të jetë e nevojshme. Jo vetëm në QSUT, por edhe në qendra të posaçme.

Koka kërkonte masë më të butë sigurie, ndërkohë që ndaj tij është në fuqi edhe një masë tjetër, "arrest me burg" për inceneratorin e Fierit.

 

Koka u arrestua më 14 dhjetor me urdhër të SPAK. Ndaj tij janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë te Fierit.

Ndërsa të premten, GJKKO rrëzoi kërkesën e Kokës për heqje të masës së sigurisë për inceneratorin e Fierit.

SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 5 milionë eurosh për ndërtimin e 2 inceneratorëve.

Ndërkohë, Alqi Bllako, ish vartës i Kokës në Ministrinë e Mjedisit, pas ndryshimit të vendimit në Apel, duke e rikthyer në burg, është dërguar në Durrës. Burime bëjnë me dije se ndodhet në të njëjtën qeli me Kokën.