Këlliçi: Afera e Portit të Durrësit, kopje 100% e asaj në Serbi! Protestuesit i quajtën 'tradhtarë', njësoj si këtu 'rubla, bedela'

"Procedura e ndjekur nga qeveria është kopje 100% e asaj që ndodhi në Serbi me “Belgrade Waterfront”. Edhe atje ndryshimet e ligjit kaluan me procedurë të përshpejtuar. Po veproni njësoj me qëllim që investitori të shmanget nga hallkat ligjore. Edhe atje u tha se Beogradit do t’i ndryshonte tërësisht e ardhmja, se do të hapeshin 13 mijë vende pune, kur numri u katandis në 2500."

Fjala e plotë e deputetit të PD-së, Belind Këlliçi dje në Kuvend në lidhje me aferën e Portit të Durrësit:

Ju sot duhet të ndani njëherë e mirë mendjen, do të përfaqësoni interesin publik apo vetëm atë partiak. Interesin e zgjedhësve tuaj, të shqiptarëve që ju kanë votuar, apo të klientelës së qeverisë. Cilido prej jush mund të thotë se jemi një parti dhe mbajmë një qëndrim.

Dakord, por parlamenti dhe qeveria janë dy pushtete të ndara, të cilat ju i keni bërë një.

Nëse ky vend do të kishte pushtete të ndara, ju si shumicë ligjvënëse nuk do të kishit sot fjalime të gatshme nga qeveria, por diskutimet tuaja. Prandaj kjo nuk është më një sallë plenare.

Kjo qameti mund të jetë një sallë teatrale, me akustikë të mirë, me llozha dhe të ftuar.

Ju jeni shumica më e heshtur parlamentare. Shumë prej jush shfaqen në këtë sallë vetëm kur i thërret kryeministri për të votuar. As ai vetë nuk do t’ju dëgjojë. Nuk ju ka vënë në listë për të dëgjuar mendimet tuaja. Praktikisht ju nuk ekzistoni. Punën tuaj mund ta bëjë çdokush që dallon ngjyrat, jeshilen nga e kuqja.

Procedura e ndjekur nga qeveria është kopje 100% e asaj që ndodhi në Serbi me “Belgrade Waterfront”. Edhe atje ndryshimet e ligjit kaluan me procedurë të përshpejtuar. Po veproni njësoj me qëllim që investitori të shmanget nga hallkat ligjore. Edhe atje u tha se Beogradit do t’i ndryshonte tërësisht e ardhmja, se do të hapeshin 13 mijë vende pune, kur numri u katandis në 2500.

Madje një fakt: Për ata 2500 të punësuar, shoqatat dhe grupet e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në Serbi raportuan për kushte ekstreme pune. 2 punëtorë humbën jetën se ranë nga kati i 22-të, ndërsa miku i Ramës deklaroi se në Amerikë, çdo 10 sekonda vdes një larës dritaresh. Një lajm i rremë, që të kujton Elizën e Rivombrozës kur tha se “ngjarje të tilla ndodhin kudo, bëhen edhe filma”. Jeni sikur ju ka bërë e njëjta nënë.
Skema është e njëjtë.

1. Tender pa garë në Serbi, pa garë edhe këtu.

2. 13 mijë vende gënjyen atje, 12 mijë këtu.

3. Njësoj si në Serbi, kompania që do të zbatojë projektin nuk është EMAAR, por Eagle Hills bashkë me Symphony Real Estate Development, që ka ndryshuar emrin disa muaj më parë. Në QKB rezulton në pronësi të shqiptarit Oltjon Hoxholli, të cilit i është dhënë dekorata “investitor strategjik”. Autoritetet tuaja nuk kanë bërë asnjë publikim për mënyrën si do të bëhet ndarja e të ardhurave për projektin “Marina&Jahtet e Durrësit”. Ndërkohë kompania ka nisur të shesë apartamentet e para.

4. Në Serbi 10 mijë protestues, pasi u shtypën me dhunë, u quajtën tradhtarë dhe mercenarë të vendeve të huaja. Njësoj si gjuha juaj, “opozita putiniste, tradhtare, rublat, bedela, punoni kundër qeverisë suaj”. Nuk ka nder më të madh sot që flasim se të punosh kundër qeverisë më gjakprishur, më të korruptuar, më proserbe, më antikosovare se kjo e Ramës!

Si pasojë e shpërnguljes së Portit të Durrësit me pashaportizim në Porto Romano, si rezultat i kësaj afere që po bëni dhe mungesës së transparencës, Bashkimi Europian e anulloi grantin 28 milionë euro, i caktuar për investime për projektin e mëparshëm të portit.

Ky investim i financuar nga BE do të mundësonte rritjen e kapaciteteve përpunuese të anijeve, rritjen e thellësisë së projektuar, me qëllim ankorimin e anijeve me tonazh të madh, si dhe do të rriste qëndrueshmërinë e kalatave për tonazhet e larta. Partnerë dhe donatorë të këtij projekti ishin Gjermania, Franca dhe Italia. Atëherë le të themi dhe ne se ju jeni antigjermanë, antifrancezë, anti-italianë, antieuropianë.
Aq kohë sa Rama shpenzon në avion, mund të themi se kemi një kryeministër offshore.

5. Në hartimin e projektit serb në Abu Dhabi, nuk kishte të pranishëm asnjë arkitekt serb.
Edhe për Portin e Durrësit hartimi i projektit u bë pa pjesëmarrjen e ekspertëve dhe publikut.
Sot që flasim nuk dimë si u hartua ky projekt dhe a kishte qoftë dhe një shqiptar në projektin e arabëve.

6. Në Serbi pretendohej se projekti do të gjeneronte miliarda euro, përfundoi në 170 milionë euro. Në Durrës investimi përllogaritet 2 miliardë eurove. Investimi 2 miliardë euro, fatura jonë 3.8 miliardë euro!
80 hektarë truall ndërtimi kushtojnë 1.8 miliardë euro. Kalata aktuale e Durrësit vlen 1.3 miliardë euro. Do të shtohen edhe 500 milionë euro për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano dhe shifra finale e faturës së shtetit shkon në 3.8 miliardë euro.

Këtu dikush shtiret si opozitar, dikush si i pavarur, si nacionalist. Ky parlament ka parë shumë fytyra, po pafytyrësi më të madhe se në seancat ku kërkohet shumicë e cilësuar, nuk ka.

Kur vijnë individë që, në 1 vit që jam pjesë e këtij kuvendi, nuk i kam parë e as dëgjuar të flasin për zonat që përfaqësojnë. Këta votojnë buxhetin e shtetit, votojnë ligjet e vendit. Fati i vendit është në duart e tyre. Aq i mbaruar është parlamentarizmi juaj, sa që mjet për të luftuar politikisht opozitën keni fikjen e mikrofonave.

Ky parlament ka vetëm dy palë politike, opozitën dhe qeverinë. Ju jeni në funksion të qeverisë, mirëpo siç thotë i pari juaj, “përgjegjësitë janë personale”. Prandaj, secili prej jush do të mbajë përgjegjësi për ngritjen e kartonit jeshil. Ju po bëheni therror për qeverinë e korruptuar të Ramës.

Unë ju kërkoj të distancoheni dhe të shpëtoni fytyrën! Po mbani me votë një kurban-bërës.

Po bëheni patericë e një kryeministri që do ju bëjë kurban një e nga një.

Dëshironi të jeni Saimir Tahiri apo Lefter Koka i radhës? Kjo është në vullnetin tuaj, por mos harroni se diktatura ha bijtë e vet.

Unë nuk besoj se ka shqiptar me mend, që pas 9 vitesh, pret ende nga Edi Rama dhe Erion Veliaj. Nuk po i marr emrat e tjerë me radhë, sepse tek ju ka shumë hajdutë.

Ju që prisni pyjet e Librazhdit bërtisni për pyll orbital në Tiranë. Ju që me SPAK mbyllët dosjet tuaja të korrupsionit, bërtisni me të madhe se hapët dosjet e komunizmit. Ju që mbyllët gojën për teatrin, bërtisni se ju prishet kërpudha e kryeministrisë. Ju që bërtisnit kundër kioskave të fukarenjve, ju mbyllet goja përpara grataçelave të mafiozëve. Ju miqtë e Vuçiçit qenkeni armiqtë e Putinit! Hipokritë!

Kujtoni se Shqipëria do të jetë gjithmonë kështu? Se nuk do përmbyseni? Se nuk do dënoheni një ditë? I dhëntë Zoti shëndet shqiptarëve për të parë se do të merrni atë që meritoni!

Zoti iu dhëntë shëndet shqiptarëve për të parë se në fund të ksaj historie të gjithë do të marrin atë që iu takon.

Fjalën time dua ta mbyll me një apel për gjithë të rinjtë, për gjithë qytetarët që datën 6 dhjetor të dalin të protestojnë kundër situatës ekonomike në Shqipëri, kundër korrupsionit qeveritar. Çdo ditë ka mijëra e mijëra arsye për të protestuar.

Rinia çdo ditë largohet nga Shqipëria. Pamë një aferë 430 milionë euro vetëm me inceneratorin e Tiranës. Por, ndërkohë që arkitektët e vërtetë të kësaj afere ende nuk iu ka hyrë gjëmbi në këmbë, Edi Ramës, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt dhe Engjëll Agaçit.

Oreksi vjen duke ngrënë dhe kështu kemi kaluar në një aferë tjetër që kalon shifrën e 2 miliardë eurove. Korrupsioni qeveritar është një problem madhor që largon qytetarët nga vendi dhe çdo ditë në orët e para të mëngjesit dërgon autobusë jashtë Shqipërisë, në vendet e ndryshme të Europës. Me qindra e qindra të rinj.

E kuptoj që në vitin e dhjetë të qeverisjes, shumë prej qytetarëve, shumë prej të rinjve mundet edhe të kenë humbur shpresën në njëfarë mënyre. Por, nëse nuk ngrihemi, nëse nuk protestojmë, nese nuk ngremë zërin tonë, sigurisht, ndryshimi nuk do të vijë nga qielli.

Ndaj, apeli im për të gjithë qytetarët është dilni, ngrini zërin, protestoni, protestoni për veten tuaj , për ekonominë e këtij vendi, për familjet tuaja, për Shqipërinë, që për fat të keq edhe pas 32 vitesh, sërish e kërkojmë që të jetë si gjithë Europa.