Sot përfundon raundi i parë i Botërorit/ ‘Shqiptarët’ e Zvicrës zbresin në fushë, spikat dueli Brazil-Serbi

Sot përfundon xhiroja e parë e Botërorit në Katar me ndeshjet në grupet G dhe H, dhe ndeshjet më interesante për ne shqiptarët janë padyshim: Zvicër-Kamerun dhe Brazil-Serbi.

Ndeshja Zvicër-Kamerun nis në orën 11:00, në stadiumin Al Janoub në Al Wakrah, sfidë kjo e vlefshme për Grupin G. Zviceranët, ku luajnë edhe disa futbollistë me prejardhje shqiptare,  janë favorit të lehtë në këtë ndeshje, ndërsa kamerunasit shpresojnë të bëjnë një sensacion si Arabia Saudite dhe Japonia. Zviceranët shpresat më të mëdha do t'i vendosin te treshja Xhaka-Shaqiri-Embolo dhe nëse luajnë në nivelin e tyre të zakonshëm fitorja nuk duhet të vihet në dyshim.

Pas kësaj ndeshje do të luhen dy ndeshje në grupin H. Fillimisht, Uruguai dhe Koreja e Jugut do të takohen në stadiumin Education City në Al Rayyan në orën 14:00.

Uruguai do të mbështetet edhe te veteranët si Luis Suarez dhe Diego Godin në këtë kampionat, ndërsa prezenca e Edinson Cavanit është në dyshim. Megjithatë, ky nuk do të jetë problem për sulmin uruguaian sepse Darwin Nunez do të luajë përkrah Suarezit në sulm.

Nga ana tjetër, një goditje e madhe për kombëtaren aziatike do të jetë mungesa e mundshme e Heung-Min Son. Sulmuesi i madh i Tottenham ka ende një problem me syrin dhe do të shohim nëse ai rrezikon dhe luan sot.

Në orën 17:00, Portugalia dhe Gana do të dalin në fushën e Stadiumit 974 në Doha. Portugezët janë favorit absolut në këtë ndeshje dhe çdo gjë përveç fitores së Cristiano Ronaldos dhe “KO” do të jetë një sensacion i madh. Është Ronaldo ai që do të jetë në qendër të vëmendjes për shkak të dramës së disa ditëve më parë, e cila kulmoi me përjashtimin e tij nga Manchester United, si dhe ndjekja e tij për një rekord të madh. Domethënë, nëse Ronaldo shënon, ai do të bëhet lojtari i vetëm në histori që ka shënuar gol në pesë kampionate botërore.

Raundi i parë mbyllet me ndeshjen e Grupit G mes Brazilit dhe Serbisë në stadiumin Lusail Iconic në Lusail, që është edhe ndeshja më interesante e ditës. Sipas basteshkruesve botërorë, brazilianët janë favoritët më të mëdhenj për të fituar titullin, prandaj janë edhe favoritë në këtë duel.

Richarlison para ndeshjes me Serbinë: Është e vështirë të luash kundër një skuadre me pesë lojtarë në mbrojtje, por gjithsesi unë do t'u shënoj gol.

Megjithatë, Serbia nën drejtimin e Dragan Stojkovicit nuk ia lë askujt rolin e favoritit para ndeshjes dhe sigurisht që na pret një duel mjaft interesant.

Lëndimi i Aleksandër Mitroviqit po i shkakton dhimbje koke trajnerit serb dhe me shumë gjasa sonte në sulm nga minuta e parë do të luajë Dushan Vlahovic, ndërsa pas tij do të luajnë Dushan Tadic dhe Sergej Milinkovic-Savic. Në radhët e Brazilit janë të dyshim vetëm Marquinho dhe Antony.

Orari:

Zvicër - Kamerun (11:00)

Portugali - Gana (14:00)

Uruguai - Koreja e Jugut (17:00)

Brazil - Serbi (20:00)