BE për Syri Tv: Anulojmë fondin 28 mln € për Portin e Durrësit, shkak devijimi i projektit nga Rama

Bashkimi Europian ka anuluar grantin prej 28 milionë euro të destinuara për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe 2, në Terminalin Perëndimor të Portit Durrës. Lajmi është konfirmuar për Syri Tv nga Zyra e Delagacionit të BE në Shqipëri, e cila ka përcjellë qëndrimin zyrtar të Brukselit për këtë çështje. BE thotë se shkak për vendimin është bërë ndryshimi i përdorimit të portit aktual për të cilin pret sqarime nga ana e qeverisë shqiptare. 

Syri Tv

Bashkia Europian ka anuluar 28 milionë euro euro për portin e Durrësit, të cilat do të shërbenin për rikonstruksionin e Kalatave 1 dhe 2 te këtij Porti.

Të kontaktuar nga Syri Tv, Zyra e delegacionit të BE në Tiranë tha se qëndrimi zyrtar i Brukselit është ndërmarrë për shkak të ndryshimit të përdorimit të portit aktual, madje është në pritje të sqarimeve nga qeveria shqiptare. 

"Si rezultat i modifikimit të projektit dhe ndryshimit të përdorimit të portit aktual, BE-ja ka anuluar grantin e mbetur të WBIF për investimin për projektin e mëparshëm të portit. BE-ja ka ndjekur diskutimet në Parlament rreth projektligjit për rizhvillimin e portit të Durrësit dhe është në pritje të sqarimeve nga qeveria’’.

Bashkimi Europian reagoi edhe lidhur me marrëveshjen për Portin e Durresit e cila pritet të debatohet në seancën e ditës së enjtes në Kuvendin e Shqipërisë. 

"Sa i përket marrëveshjes tregtare ndërmjet Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, BE-ja do të vazhdojë të monitorojë rëndësinë për MSA-në dhe pajtueshmërinë me të, në dialog me institucionet shqiptare. Ne jemi duke u konsultuar me përfaqësuesit e qeverisë edhe për prioritetet e investimeve". 

Duket se Projekti i nxitur nga kompani offshore dhe i mbështetur nga qeveria shqiptare për ndërtimin e marinës së jahteve dhe një blloku apartamentesh e hotelesh në vendin ku aktualisht ushtron aktivitetin porti më i madh tregtar i vendit në Durrës, e ka çuar Bashkimin Europian drejt këtij vendimi ekstrem.

Zyra e BE në Tiranë thotë gjithashtu në përgjigjen për Syri Tv se projekti i marinës së jahteve është duke kaluar në supervizimin e BE-së pasi mund të bjerë ndesh me Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit.