Beteja për SPAK/ Sami Neza: Yuri Kim identifikoi problemin. Ambasadorja e ka edhe me KLP!

Gazetari Sami Neza shprehet se ka ndërhyrje politike në procesin për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK. 

Në Task Force me gazetaren Sonila Meço, në Syri Tv, Neza tha se Kim ka identifikuar problemin. 

Sipas tij, shqetësimi i saj nuk është vetëm SPAK, por edhe KLP, si institucion i cili mund të influencohet dhe ta reflektojë këtë përmes votave në zgjedhjen e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. 

Sami Neza: Kuadri ligjor për Reformën në Drejtësi ka qenë i njëanshëm, synonte projektimin e disa emrave, personave dhe me një farë CV të caktuar për të drejtuar institucionet e drejtësisë. Një prej këtyre ka qenë kufizmi për 15 vjet që duhet të ishin në sistemin e drejtësisë. Kjo bënte që asnjë të mos futej në sistemin e drejtësisë pas reformës nga ata që kishin filluar magjistraturën në 2004-2005. Na bën të dyshojmë se ka diçka politike aty. Ajo që thotë ambasadorja nuk më duket paralajmërim, është identifikimi i problemit, ajo ka shpallur problemin. Në ligj kryetari i SPAK ka pak kompetenca, prokurorët mund të veprojnë kryesisht pa qenë nevoja të marrin leje, por pozicioni i kryetarit të SPAK është iduktim, shefi është induktim. Por ambasadorja nuk ka takuar vetëm kandidatët për SPAK. Janë tre kandidatë në garë. Ambasadorja thotë "duhet transparencë", por vetëm transparenca në këtë rast nuk është shumë e domosdoshme sepse beteja është shumë e dukshme. Nuk e ka vetëm me SPAK, janë dy institucione në lojë, është KLP dhe SPAK. Sa e ka me SPAK e ka edhe me KLP e cila është bartëse e presionit, e influencave dhe mund ta reflektojë këtë përmes votave te kryetari i SPAK që zgjedh. KLP ka patur problematika që janë shënuar që në fillim. Opozita kërkoi që ata të cilët drejtuan Reformën për Drejtësi të mos merrnin përsipër të drejtonin institucionet e drejtësisë, gjë që nuk ndodhi kështu. As ndërkombëtarët nuk e kanë përmendur këtë gjë.