Dialogu Kosovë-Serbi/ Saiti: Veprimet e Borrell, të njëanshme! Deliu: Padrejtësi për liberalizimin e vizave

Deputetja e PDK, Blerta Deliu dhe redaktori në Syri Tv, Gazmend Saiti, komentuan në edicionin e pasdites me Armela Ferkon shtyrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe vendosjen e disa kushtëzimeve nga BE ndaj Serbisë.

Gazemend Saiti tha se këto dy çështje nuk lidhen me njëra-tjetrën ndërsa shtoi se kanë tentuar të bëjnë një llojë balance, ndërsa nuk la pa përmendur dështimin e një marrëveshje Kosovë-Serbi në Bruksel.

"Serbisë nuk i është kërkuar gjë për dialogun me Kosovën, por nëse nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, përparimet për anëtrësimin në BE ndërpriten këtu. S’ka lidhje çështja e dialogut me Kosovën.

Serbia është e paprekshme përballë Kosovës. Çdo gjë që është ndërtuar deri tani për dialogun, është thjesht Kosova e penalizuar, Serbia nuk ka asnjë gjemb në këmbë për këtë.

Serbisë i është kërkuar prej kohësh nga BE të hiqte dorë nga vetoja që do i vinte Kosovës për në OKB. Kurti kur shkoi në Bruksel kishte themelore zgjidhjen e çështjeve të mëdha, dhe pranimit të Kosovës si shtet nga Serbia.

I dërguari i BE, Borrell, kërkoi gjithçka dhe e kanalizoi gjithçka tek çështja e targave. I gjithë dialogu nuk është vetëm targat, janë gjëra sipërfaqësore.”-tha Saiti.

Deputetja e PDK, Blerta Deliu u shpreh se Kosova i ka përfunduar obligimet e saj në raport me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Sipas saj, është lajm i keq që s’kemi një datë për liberalizimin e vizave ndërsa shtoi se kjo është një padrejtësi në vazhdim që i bëhet Kosovës duke marrë shkas tensionet e fundit në veri të vendit pas zbatimit të vendimit për targat.

"Lajm i keq që sot nuk kemi një datë të përcaktuar për këtë agjendë, kemi kërkuar që Kosova të jetë e koordinuar me aleatët. Vendimi lidhet me zhvillimet në veri të Kosovës.

E padrejtë që Kosovës po i kërkohet, që në një proces i cili ka marrë mbarimin e obligimeve të udhërrëfimit për liberalizimin e vizave të lidhet me zhvillimet në ditët e fundit në veri të Kosovës. Padrejtësi në vazhdimësi që i bëhet Kosovës."-tha Deliu.