VIDEO/ Liria e medias, Flutura Kusari: Ja çfarë i thamë Edi Ramës në zyrë

Flutura Kusari, këshilltare ligjore e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, duke folur për ‘A Show’ në SYRI TV me Adi Krastën, ka treguar për takimin me Edi Ramën në lidhje me lirinë e medias.

Kusari nuk pranoi që të tregojë detaje në lidhje me bisedën emocionale me Ramën, por tregoi se çfarë i kërkuan atij.

‘Retorika toksike, e cila përdoret nga kryeministri juaj dhe nga ata që bashkëpunojnë me të direkt apo indirekt, kundër gazetarëve dhe medieve dhe secilit aktivisht në Shqipëri, tashmë është lajm që e di e gjithë Europa.

Të gjithë mekanizmat që bëjnë monitorimin e lirisë së medieve, e kanë dokumentuar në shumë raste se çfarë gjuhe përdor kryeministri. Ndoshta brenda në Shqipëri edhe i shitet, siç ndodh me shumë liderë botërore. Por ndërkombëtarisht kjo është bërë e qartë dhe këtë ja thamë edhe kryeministrit.

Normalisht ju po insistoni që të jap detaje, sidomos të aspektit emocional, por nëse ju më detyroni mua të diskutoj aspekte emocionale, teatrale të takimit, atëherë vëmendja nuk është më tek faktet.

7 organizatat më të mëdhaja në Europë kanë ardhur në Shqipëri, për herë të dytë në 3 vite, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër për shkak të përkeqësimit të vazhdueshëm të medieve dhe ne ja thamë këtë kryeministrit.

Tani nëse ai e pranon apo jo, kjo do të dihet shumë shpejt pasi janë kërkuar veprime specifike nga ana e kryeministrit. Raporti jo i shëndetshëm mes qeverisë, opozitës me pronarët e medieve është shkatërrues për lirinë e medias dhe ai e ka ditur dhe ja thamë edhe ne.

Fakti që institucionet janë hermetikisht të mbyllura në Shqipëri, është një problem madhor dhe ja thamë edhe ai e di.

Fakti që Agjencia për Media dhe Informim u shit sikur do të rriste transparencën, ka pasur efekt të kundërt. Të gjitha informacionet janë të centralizuara në Agjenci dhe tani është e pamundur për një gazetar që shkon e dëshirojë të bëjë një histori suksesi, është e pamundur në Shqipëri.

Është e pamundur për të marrë hyrje në dokumente publike’, u shpreh Flutura Kusari gjatë diskutimit me Adi Krastën në SYRI TV.