'Firmosa 15 konfiskime'/ Manjani: Rama si gykatës! Ndërtimet e oligarkëve e kalojnë filtrin e mos shembjes

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, deklaroi në emisionin 'A Show' në Syri Tv se institucionet në Shqipëri janë të dobëta pasi shoqëria është e dobët ndërsa komentoi edhe reagimin e Ramës i cili tha se ka konfiskuar ndërtimet pa leje.

"Na sillen si duam ne, prandaj institucionet janë copë-copë. Në shoqëri mbizotëron informaliteti dhe miku është më i rëndësishëm se ligji, institucionet janë të dobëta dhe mirë na e bëjnë.

Sa i përket ndërtimeve pa leje, të quajtura pa leje nga qeveria, e kalojnë filtrin e mos shembjes.

Diskriminim skandaloz, nënë Lizës, meqë u bë simbol, banorë të Shkozës apo kudo, të gjithë ankohen për shembje banesash që i kanë bërë me mund e djersë se shteti do të bëjë ndërtime.

Në mes të Tiranës disa njerëz kanë kurajo të bëjnë kate të tëra pa leje dhe shteti nuk i shemb"-tha Manjani.

Ylli Manjani u shpreh se fjalët e Ramës janë deklarata të cilat edhe Enver Hoxha nuk ka pasur kurajo t'i thotë. Sipas tij Rama i cili tha se ka konfiskuar ndërtime pa leje, ka marrë rolin e gjykatës.

"Thotë kam konfiskuar ndërtime pa leje. Term legal, ligjor, e përdorin vetëm gjykatat. Nëse dikujt i konfiskohet diçka, këtë e bën gjykata dhe askush tjetër.

Nuk e bën dot këtë kryeministri për kokrrën e qejfit. Rama ka gjuhë populiste, mendon se po ja marrin pronat maskarenjve, por s’ja jep popullit."-tha Manjani.