Zhulali: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi në kurth! Duhet gjakftohtësi e unitet! Dialogu s'ka përparuar prej 2014

Përplasja Kurti-Borrell në Bruksel dhe mosarritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi ishte tema e diskutimit pasditen e sotme në emisionin 'Task Force' me Sonila Meçon në Syri Tv.

Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, deklaroi se tezat e Albin Kurtit qëndrojnë ndërsa shtoi se duhet gjakftohtësi dhe në veçanti unitet.

Sipas Zhulalit, marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë janë në një kurth ndërsa u shpreh se Vuçiç duhet të ndryshojë gjuhën e komunikimit e të mos krijojë tensione.

"S'po diskutojmë për targat, por marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë hyrë në një çark. Kur këto marrëdhënie hynë drejt një zgjidhje pasi Kosova shpalli pavarësinë, dhe u ngrit dialogu i ndërmjetësuar në Bruksel, dialogu ka si pikë referimi vendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, dialogu do mundësonte që edhe Serbia duke i dhënë karrotën e anëtarësimit në BE, do ta pranonte de fakto pavarësinë e Kosovës.

Ky ishte misioni që u ngrit dialogu. Që në këtë moment pati përparim në 2013 me marrëveshjen e madhe, por nga 2014 e tutje nuk ka pasur përparime. Lufta në Ukrainë e ka bërë të rrezikshme situatën. Serbia po radikalizohet më shumë. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç në vend që të përdorte gjuhën për të zbutur ndjesinë e Kosovës si një pjesë të Serbisë, ka bërë të kundërtën, e ka radikalizuar.

Por dhe akte armatimi, përforcime ushtarake. Kosova duhet urgjentisht të gjejë emërues të përbashkët brenda klasës politike, duhet gjakftohtësi dhe veçanërisht për unitet. Kurti ka përdorur teza të vërteta, qëndrojnë, nuk besoj se i hedh njeri poshtë, mirëpo ajo që mendoj është se ka munguar komunikimi tek ai. Ai është i pamjaftueshëm.”-tha Zhulali.