Bozdo: Paaftësi e korrupsion qeveritar! 10 mln € energji i çuan dëm! Dy faktorët që sollën përmbytje

Enno Bozdo, ish-zëvendësministër i Energjitikës komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv keqmenaxhimin në sektorin energjetik edhe pse reshjet e ditëve të fundit kanë mbushur digat. Enno Bozdo deklaroi se gënjeshtrat që dëgjojmë në këtë situatë janë ato që thotë kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të lartë të PS që merren me menaxhimin e këtij sektori.

"Opozita ka renditur faktet. Faktet qëndrojnë mbi çdo të vërtetë. E vërtetë është që KESH ka blerë 10 mln euro energji për tu përdorur në kohën nga 13 deri më 20 nëntor.

Më 13 nëntor pagesa, softueri që KESH përdor, që monitoron motin me ndihmën e satelitëve, është e avancuar për të parashikuar reshjet."-tha Bozdo. 

Eksperti Bozdo tha se janë dy faktorë që na çuan në këtë situatë përmbytjesh. E para babëzia për të bërë tendera, për të shpërdoruar dhe për të vjedhur dhe e dyta paaftësia e qeverisë edhe pse kanë mundësitë për të parashikuar reshjet.

“Babëzia për të bërë tendera me çdo kusht edhe kur ke mundësi të prodhosh vetë energji dhe paaftësia për të kuptuar atë që po vjen.

Më datë 13 kur u kuptua çfarë do vinte këto 3 ditët e fundit, praktikisht KESH duhet të stoponte blerjen e energjisë dhe nga rezerva energjetike në digën e Komanit dhe Vaut të Dejës të prodhonte me sa të kishte mundësi dhe të priste. Kanë bërë të kundërtën.

Paguan 10 mln euro për një energji që nuk na u desh, parashikimin e motit nuk e përdorin, energjinë që zoti na e solli e derdhën kot, përmbytën gjysmën e Lezhës dhe Shkodrës.

Kështu është kur puqet korrupsioni me paaftësinë, qeveria i ka dhënë provat se në këto dy elementë është mjaft e suksesshme.”-tha Bozdo.