Luftimet, Kievi u kërkon banorëve në Khersonin dhe Mykolaivin e çliruar të ikin pa filluar dimri

Autoritetet ukrainase kanë nisur evakuimin e civilëve nga zonat e çliruara së fundmi të rajoneve Kherson dhe Mykolaiv, nga frika se mungesa e ngrohjes, e energjisë dhe e ujit për shkak të bombardimeve ruse do t'i bëjë kushtet e jetesës shumë të vështira këtë dimër.

Ata u kërkuan banorëve të dy rajoneve jugore, të cilat forcat ruse i kanë bombarduar prej muajsh, të lëvizin në zona më të sigurta në pjesët qendrore dhe perëndimore të vendit.

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës Iryna Vereshchuk tha të hënën se qeveria do të sigurojë transport, strehim dhe kujdes mjekësor për ta, me përparësi për gratë me fëmijë, të sëmurët dhe të moshuarit.

Vereshchuk muajin e kaluar u kërkoi qytetarëve që tani jetojnë jashtë vendit që të mos kthehen në Ukrainë për dimër për të kursyer energjinë.

Zyrtarë të tjerë kanë sugjeruar që banorët në Kiev ose gjetkë që kanë burimet për t'u larguar nga Ukraina për disa muaj, duhet ta bëjnë këtë për të kursyer energji për spitalet dhe objektet e tjera kyçe.

Moti i pamëshirshëm i dimrit shqetëson OBSH-në

OBSH dha një paralajmërim rrëqethës të hënën për ndikimin te njerëzit të krizës energjetike në Ukrainë. “Ky dimër do të jetë kërcënues për jetën për miliona njerëz në Ukrainë”, tha drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Dr Hans Henri P. Kluge.