Thellohet skandali me energjinë/ Si dështoi sistemi satelitor 1.5 mln euro

Edhe pse vendi ndodhet nën ujë dhe hidrocentralet po shkarkojnë duke shkaktuar përmbytje, kryeministri Edi Rama është justifikuar duke thënë se importet e energjisë kanë vijuar për shkak se pritshmëritë për reshje kanë qenë të ulëta dhe rrezikohej që të mbeteshim pa energji.

Por kjo nxjerr në pah edhe dështimin e radhës. Vetëm pak muaj më parë Korporata Elektroenergjitike Shqiptare realizoi një procedurë tenderimi me vlerë 1.5 milionë euro për një sistem special satelitor, që do të parashikonte me saktësi motin dhe sasinë e reshjeve në kaskadë, shkruan Panorama.

Por autoritet nuk ishin në gjendje jo vetëm të paraprinin situatën, por shkuan edhe më tej duke shkarkuar 30 për qind të sasisë së prurjeve ujore, duke vënë në rrezik për pasojë jetën e mijëra familjeve në zonën e Shkodrës si pasojë e përmbytjeve.

Aspekti tjetër ka të bëjë me shfrytëzimin e sasisë ujore për rezervë energjetike për t’u shkëputur nga varësia e importit. Vetëm përgjatë këtij viti janë më shumë se 400 milionë dollarë që kanë shkuar për të blerë energji në tregjet ndërkombëtare, ku një megavator në periudhën e verës arriti në vlerën rekord të 1040 eurove.

Qeveria dështoi në zbatimin e projektit për depozitimin e energjisë dhe përdorimin e saj atëherë kur prodhimi në HEC-e është i reduktuar për shkak të mungesës së shirave. Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, deklaronte një vit më parë se po shqyrtohej mundësia për të depozituar energji dhe për ta rimarrë këtë të fundit atëherë kur do të ishte e nevojshme, pa qenë të detyruar kështu t’u nënshtroheshin çmimeve të importit. Por kjo mbeti thjesht dhe vetëm një ide që nuk gjeti zbatim as këtë vit krize, sa kohë që prurjet intensive të ditëve të fundit nuk po shfrytëzohen për rezerva energjetike, por po shkarkohen. Në këtë situatë, i vetmi lajm pozitiv, nëse mund të konsiderohet i tillë është fakti që fasha 800 kilovat nuk do të aplikohet as në muajin dhjetor. Reshjet e këtyre ditëve shpëtuan shqiptarët nga 5- fishimi i çmimit të dritave.