Afganët do të vuajnë shumë për ta kaluar këtë dimër, thotë Kryqi i Kuq

Kushtet në Afganistanin e sunduar nga talibanët do të jenë më të këqija vitin e ardhshëm dhe më shumë afganë do të duhet të luftojnë për mbijetesë, tha një zyrtar i lartë i Kryqit të Kuq.

Vendi është gati të durojë dimrin e tij të dytë që nga marrja e pushtetit nga grupi fetar në gusht 2021 - një ngjarje tronditëse kjo që e transformoi rrënjësisht Afganistanin, duke çuar miliona njerëz në varfëri dhe uri, ndërsa ndihma e huaj ndaloi pothuajse brenda natës.

"Vështirësia ekonomike është e pranishme. Është shumë serioze dhe njerëzit do të luftojnë për jetën e tyre," tha Martin Schüepp, drejtor i operacioneve në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ICRC, në një intervistë të dielën vonë.

Sanksionet ndaj sundimtarëve talebanë, ndalimi i transfertave bankare dhe miliarda të ngrira në rezervat valutore të Afganistanit kanë kufizuar tashmë aksesin në institucionet globale ashtu si dhe paratë nga jashtë që mbështetnin ekonominë e vendit përpara tërheqjes së forcave të SHBA-së dhe NATO-s.

Fillimi i dimrit do të komplikojë nevojat akute humanitare me të cilat po përballet tashmë gjysma e vendit, vuri në dukje Schüepp.

“Çmimet po rriten për shkak të një sërë arsyesh, por edhe çështja e sanksioneve ka dhënë pasoja masive”, tha ai.

"Ne shohim gjithnjë e më shumë afganë të cilët duhet të shesin gjërat e tyre për të përballuar jetesën, ku duhet të blejnë materiale për ngrohje, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të përballen me kosto në rritje për ushqimin dhe sendet e tjera thelbësore."