Formula 1/ Mercedesi arrin triumfin e parë sezonal

Piloti britanik George Russell fitoi sot Çmimin e Madh të Brazilit në Formula 1, garë e zhvilluar në pistën e Interlagos.

Ky është triumfi i parë sezonal për makinën Mercedes, që arriti edhe një vend të dytë me 7 herë kampionin e botës, Lewis Hamilton.

Një triumf i merituar për Russell, në një garë që e dominoi gjatë gjithë kohës, duke mos e lëshuar kreun edhe kur në pistë hyri dy herë makina e sigurisë.

Ky është triumfi i parë në karrierë për Russell, që të shtunën pati fituar edhe garën sprint.

Në podium, bashkë me dy pilotët e Mercedesit, u ngjit edhe spanjolli Carlos Sainz me Ferrari.

Gara e Brazilit ishte spektakolare, me aksidente që në startin e saj, ku nuk mungoi edhe një kontakt mes Verstappen e Hamilton.

Kjo bëri që strategjitë e skuadrave në përdorimin e gomave të jenë të ndryshme.

Hyrja e makinës së sigurisë edhe 15 xhiro nga fundi e bëri mjaft të bukur fundin e garës.

Ferrari shpresoi shumë për fitoren, por nuk mundi të rivalizojë dot me Mercedes.

Charles Leclerc, që pas xhiros së parë përfundoi në fund pas një kontakti me Norris, e mbylli garën në vendin e katërt.

Ai fitoi terren ndaj Sergio Perez (Red Bull), që u rendit i shtati, pas shokut të tij të skuadrës Max Verstappen (i gjashti) e Fernando Alonso (i pesti).