Majko, Xhafaj e Braçe kundër Ramës/ Buxheti bashkon 'të vjetrit' e PS

Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, kritikoi gjuhën dhe retorikën e përdorur nga politikanët në Kuvendin e Shqipërisë, një ditë pas përplasjes që kryeministri Edi Rama pati me opozitën, duke lëshuar një lumë sharjesh e ofendimesh ndaj saj.

Gjatë fjalës së tij për buxhetin, Xhafaj u shpreh se çdo ditë e më shumë debatet në Kuvend po largohen nga pritshmëritë e qytetarëve për të mirën e tyre, duke u shprehur se kjo është një legjislaturë shpërfillëse që paraqitet më e dobët se kurrë më parë. Për deputetin e PS-së kjo gjuhë dhe retorikë politike, është fajtore dhe për largimin e të rinjve nga vendi.

Deputeti socialist vlerësoi disa sektorë në të cilat buxheti për vitin 2023 ishte shtuar si arsim, shëndetësi dhe bujqësi, por kritikoi mungesën e fondeve në disa të tjerë në një ekonomi të brishtë si e jona. 

Si ish-ministër i Drejtësisë, për buxhetin e institucioneve të reja të drejtësisë, ai u shpreh se ato janë financuar jo pak dhe se ka ardhur koha që qytetarët të marrin mbrapsht investimin e taksave të tyre.

Edhe deputeti i PS-së, Erion Braçe, u shpreh i shqetësuar për menaxhimin nga qeveria të buxhetit të viti të shkuar dhe kritikoi buxhetin e vitit të ardhshme se ai nuk përmbush nevojat e shumë qytetarëve.

Nga Kuvendi ai tha se GDP-ja nuk mjafton dhe se duhet rishpërndarja e të ardhurave, ndërsa kritikoi sipas tij, faktin që qeveria po lejon kartelizimin e ekonomisë që do pasohet nga kartelizimi i tregut të punës, madje edhe i politikës.

Braçe i bëri thirrje të drejtpërdrejtë qeverisë që të mos e shkurtojë buxhetin e vitit 2022 për bujqësinë, pasi shumë fermerë kanë mbetur pa marrë subvencionimin për naftën, ndërsa kërkoi edhe shtim prej 1 miliardë lekësh që të paguhen të gjithë fermerët që janë shpallur fitues.

Kurse deputeti i socialist, Pandeli Majko, kritikoi mungesën e investimeve të qeverinë në qarkun e Kukësit, ku së fundmi, ai është emëruar drejtues politik i PS-së.

Nga foltorja e Kuvendit, përpara se të votonte pro tij, Majko u shpreh se buxheti i shtetit duhet të jetë prezent edhe në zonat e tjera dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane si Tirana dhe Durrësi.

Deputeti i PS-së tha se investimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2023 për qarkun e Kukësit lënë për të dëshiruar, por kërkoi që duhet ndarë nëse kjo vjen si pamundësi për shkak të krizës apo nga dëshirat e qeverisë.

Për Pandeli Majkon, buxheti është fotografia e asaj që jemi dhe duam të jemi, por u shpreh se në kohën kur në Tiranë flenë ëndrrat e jetesës në Kukës flenë mundësitë e mbijetesës