Mbrojtësi anglez që humbi Kupën e Botës: Jam i shkatërruar, bëra maksimumin për të shkuar në Katar

Futbollisti anglez Reece James do të mungojë në Botërorin e Katarit për shkak të një dëmtimi në gju, ndërsa në rrjetet sociale ka bërë të ditur se ndihet i “shkatërruar” që nuk do të jetë me shokët e tij në duelin e kombëtareve më të mira të botës.

James u dëmtua në ndeshjen kundër Milanit në Ligën e Kampionëve dhe ndonëse shpresonte se do të mund të rikuperohej para fillimit të Kupës së Botës, në fund nuk doli asgjë. Lidhur me këtë, ai është bërë i ditur në rrjetet sociale dhe ka thënë se ky informacion e ka goditur shumë.

"Jam i shkatërruar. Në momentin që lëndova gjurin tim, e dija se një rikthim do të ishte i vështirë, por gjithmonë e ndjeja se ishte e mundur. Punova më shumë se sa mendoja se mund t'i jepja vetes shansin më të mirë për të shkuar në Katar," tha James dhe vazhdoi:

"Unë me të vërtetë besoja se mund ta ndihmoja ekipin. Megjithatë, i uroj fat shokëve të mi dhe do të kthehem së shpejti."

Mbrojtësi i djathtë i Chelseat luajti 15 ndeshje për kombëtaren e Anglisë dhe mediat vendase prisnin që ai të ishte zgjedhja e parë në krahun e djathtë.

Anglia do të luajë kundër Iranit, SHBA-së dhe Uellsit në grup në Kupën e Botës.