Bllako arrestohet në sallën e gjyqit/ Del njoftimi zyrtar për vendimin

Vetëm 34 ditë ka zgjatur liria e ish-deputetit socialist Alqi Bllako.

Apeli i GJKKO ka vendosur të rikthejë në qeli Bllakon, pas ankimit të SPAK. Nga masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’, gjyqtarja Ilirjana Olldashi vendosi sot masën ‘arrest me burg. Bllako u arrestua në sallën e gjyqit.  

Ky vendim i Apelit të Gjykatës së Posaçme vjen pasi GJKKO liroi Bllakon më 6 tetor dhe i zbuti masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Gjykata mori parasysh se duhet të kujdeset për 3 fëmijët e mitur pasi gjendja e familjes së tij është e rënduar dhe pa përkujdesje, sepse bashkëshortja e Bllakos është e punësuar dhe lëviz nëpër rrethe. Por ky vendim u apelua nga SPAK. 

NJOFTIMI ZYRTAR

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trupin gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më datë09.11.2022 shpalli vendimin  lidhur me çështjen nr. 180 akti, datë 04.11.2022 regjistrimi në ngarkim të personit nën hetim A.B., mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit nr. 382, datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

Ndryshimin e vendimit nr. 362 datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si më poshtë:

1.   Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/të hetuarit A.B. me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”.

2.   Vazhdimin e masës së sigurimit personal me efekt shtrëngues “arrest në burg”, të caktuar ndaj të hetuarit A.B. me vendimin nr. 26, datë 31.03.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.