Dhuna në azil, prokurori Juniku: Kemi informacion për raste të tilla edhe më parë

Sulmi që i është bërë një të moshuare në Qendrën Strehimore në Pejë, ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë. Të dyshuarat në këtë rast janë në ndalim për 48 orë, ndërsa Prokuroria Themelore do të bëj kërkesë për paraburgimin e të dyshuarve.

Prokurori i rastit, Dorjan Juniku, tha se deri tani janë ndaluar tre persona të cilët kanë të bëjnë me rastin e shtëpisë së të moshuarve në Pejë.

“Janë ndaluar tre persona, në afatin kohor do të parashtrojmë kërkesën për masën e paraburgimit. Jemi në vazhdën e hetimit, pra jemi duke grumbulluar informacione dhe prova, ne do t’i marrim të gjitha veprimet  e nevojshme”, tha ai për Lajmet e fundit në RTK.

Juniku tha se janë tre persona të ndaluar, ndërsa personi i katërtë e ka vlerësimin e dëshmitares dhe ajo është tani e lirë. Ai bëri me dije se ka indikacione se edhe më parë se ka raste të tilla në atë shtëpi. "Kemi disa informata për këtë, por mbetet të vërtetohen ato", tha ai.

Prokurori i rastit Dorjan Juniku, ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës të njoftojnë për raste të tilla të keqtrajtimeve.