VIDEO-SYRI TV/ Kardhiq-Delvinë, SPAK mbyll hetimet. Afera me 10 të pandehur, mes tyre Sonila Qato

Prokuroria Speciale (SPAK) ka dërguar për gjykim 10 persona që ndodheshin nën hetim, mes tyre ish-drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato.

Prokuroria e Posaçme ka gjetur elementë të veprës penale 'shpërdorim detyre', 'shkeljes së barazisë në tendera', “falsifikim i dokumentave” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa hetimi vijon për lotin e 7-të të rrugës Kardhiq-Delvinë me vlerë gati 60 mln euro.

Fillimisht ishte Kontrolli i Lartë i Shtetit që zbuloi shkeljet dhe referoi materialet. Të pandehur janë Sonila Qato, Elona Gogo, Simon Prendi, Arbër Troka, Ariana Hasani, Erdit Salillari dhe Almir Hoxhaj. Ndërkohë nën hetim janë edhe Nikollaq Mihali, Miranda Shkurti, Admir Pahumi.

Gati 3 vjet më parë, institucioni i drejtuar nga Qato kishte përjashtuar nga gara për ndërtimin e tunelit, kompaninë ‘Gjoka konstruksion sha’, duke pretenduar se kishte paraqitur dokumentacion jo të rregullt, dhe shpalli fitues një bashkim kompanishë që kishte ofruar vlerën më të lartë prej 18.9 milionë eurosh.

Komisioni i Prokurorimit Publik e hodhi poshtë vendimin e ARRSH-së, ndërsa kompania e kundërshtoi këtë vendim dhe më pas ngriti padi penale ndaj ish-drejtueses së Autoritetit Rrugor. Përplasja në 2019 për garën e ndërtimit të tunelit, solli dhe dorëheqjen e Qatos nga detyra.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, në veprimtarinë e saj, janë gjetur elementë të veprës penale.

Nga auditimi ka rezultuar se nga gara është skualifikuar kompania me ofertën më të ulët duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej 5 milionë euro.