Lukaku kërkon ndjesë për transferimin te Chelsea, por ultrasit zikaltër nuk ia falin

Rikthimi i sulmuesit belg Romelu Lukaku ka përçarë tifozët e Interit, disa e kanë pranuar sërish, ndërsa të tjerë nuk e kanë falur.

Lukaku u kthye te Interi në verë pasi kaloi një sezon te Chelsea pas një transferimi prej 113 milionë euro. Ai nuk ishte i kënaqur me jetën në Londër dhe në një intervistë tha se dëshironte të kthehej te Inter, gjë që e përkeqësoi situatën e tij në klub.

Ndeshja kundër Viktoria Plzen në Ligën e Kampionëve ishte e para për të pas një pauze dymujore për shkak të lëndimit dhe kur ai doli në fushë, disa nga tifozët e përshëndetën. Megjithatë, tifozët më të zjarrtë të Interit qëndruan indiferentë.

“Askush të mos guxojë ta përshëndesë këtë”, tha drejtuesi i tifozëve të Interit me megafon.

Kjo është dëshmi se bërthama e tifozëve zikaltër ende nuk ia ka falur belgut transferimin te Chelsea.

Lukaku shënoi gol në minutat e fundit të lojës, më pas puthi fanellën dhe vrapoi drejt tifozëve. Vuri njërën dorë në zemër dhe tjetrën e ngriti lart për të kërkuar falje edhe një herë.