U akuzua se nuk kishte paguar energjinë elektrike, futbollisti francez mohon se ka borxhe

Ish-futbollisti i Watford-it dhe Tottenham-it, Moussa Sissoko, ka përdorur rrjetet sociale për të reaguar ndaj “The Sun” mbi historinë për mospagimin e faturave të energjisë elektrike në kohën kur jetonte në Angli.

Sipas medias angleze, kompania Yu Energy, ka akuzuar Sissoko se i detyrohet një shumë prej 61.700 paundësh. Ky borxh duket se vjen nga periudha e Sissoko tek Watford teksa lojtari në atë kohë jetonte në një apartament luksoz me vlerë prej 3 milionë paund ndërsa nga klubi përfitonte plot 80.000 paund në javë.

Në Twitter, Sissoko ka shkruar se media angleze “po i shkakton dëm të madh, atij dhe familjes së tij" me këto lajme.

“@TheSun ke përdorur emrin dhe imazhin tim për një çështje që nuk më intereson. Ju nuk e keni verifikuar informacionin tuaj dhe kjo po më shkakton dëm personal mua dhe familjes time.

Unë do të bëj denoncim ndaj jush dhe drejtësia do të bëjë punën e saj. Ju i baltosni njerëzit vetëm për të krijuar zhurmë. Herën tjetër do ta bëni më mirë punën tuaj si pseudogazetar skandaloz.”