U akuzua për atentat me snajper në Burgun e Vaqarit, Apeli i jep lirinë Ergys Kolaverit

Pas një “ping-pongu” të gjatë nëpër shkallët e gjyqësorit, Ergys Kolaveri ia ka dalë të fitojë lirinë në Gjykatën e Apelit. Në një vendim të publikuar dje, kjo Gjykatë ia ka dhënë fund kalvarit të Kolaverit, duke i dhënë atij lirinë, ndërsa ndodhej nën arrest shtëpiak prej vitit 2020.

Ai dyshohet se organizoi një atentat me snajper ndaj hasmit të tij, Gazmir Daçi në vitin 2016, ndërsa ky i fundit ndodhej në Burgun e Vaqarit në rrethinat e kryeqytetit.

Kolaveri ishte në gjykim për vrasje të mbetur në tentativë dhe u dënua në nëntor të vitit 2017, me 20 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Pikërisht ky vendim i dhënë nga kjo gjykatë u bë shkak për një sërë procesesh gjyqësore deri në Gjykatën e Lartë, çka solli lirimin nga qelitë të Kolaverit në janar të vitit 2020.

Sipas dosjes së Prokurorisë, thuhet se pas diten e 30 korrikut të 2016, i pandehuri organizoi një atentat ndaj Gazmir Dacit, i cili ndodhej në Burgun e Vaqarit në pritje të gjykimit për vrasjen e Gazmir Kolaverit dhe plagosjen rëndë të Robert Kolaverit.

Prokuroria theksoi se Kolaveri i pajisur me një armë të sofistikuar snajper ishte vendosur në një distancë të largët në ambientet e jashtme të burgut dhe priti derisa Gazmir Daci doli në ajrim. Plani për të marrë gjakun vëllait, nuk shkoi si duhet, pasi nuk mundi ta vrasë atë që e konsideronte si hasmin e tij, por la të plagosur një të paraburgosur, shtetas i Kosovës.

Më pas, sipas Prokurorisë, atentatori ndonëse kishte dështuar, u largua me shpejtësi me një makinë.

Çfarë tha Kolaveri për ngjarjen

Gjatë një dëshmie televizive në vitin 2017, Kolaveri tha se nuk ka lidhje me atentatin e dështuar ndaj të dënuarit Gazmir Daci, ku i plagosur mbeti shtetasi nga Kosova Lili Dulaj, pasditen e 30 korrikut 2016 në burgun e Vaqarit dhe për këtë pretendoi se ka edhe prova.

Kolaveri tha se atë ditë ishte në Institut në kafe dhe nuk e di ku bie Burgu i Vaqarit. Po ashtu, ai theksoi se Policia nuk i kishte gjetur as barut në duar kur është shoqëruar.

“Kam qenë në Institut në kafe më pas kam shkuar në shtëpi. Janë edhe filmimet. Është një person që i ka planifikuar këto gjera, unë nuk e di ku bie Burgu i Vaqarit. Nëse më gjeni një foto nga burgu në atë datë do mbaj unë përgjegjësi”, tha Kolaveri.

Sipas hetimeve të Policisë, në shënjestër të vrasjes ka qenë Gazmir Daci, i dënuar për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e rëndë të vëllait të tij, Robert Kolaveri, i cili aktualisht është i paralizuar.

Ndërkohë, për atentatin ndaj Dacit në pranga ka përfunduar Ergys Kolaveri, 25 vjeç, dhe Enea Ceka, 24 vjeç, kushëri i vëllezërve, që dyshohen se e kryen aktin në shenjë hakmarrjeje. Apeli ka shpallur të pafajshëm edhe Cekën.