Kriza energjetike e Evropës rrit çmimet e druve të zjarrit si dhe frikën e vjedhjeve

Kishinau, Moldavi — Tudor Popesku ngul sëpatën e tij në një trung dhe më pas ushqen me drutë që çau, një sobë që ngroh shtëpinë e tij në kryeqytetin e Moldavisë. Ndërsa netët bëhen të ftohta, pirgu i druve të zjarrit është rritur më shumë përreth tij - janë furnizime për dimrin e ardhshëm.

Në të kaluarën, Popesku mbështetej te gazi për t'u ngrohur në mëngjes dhe me dru zjarri në mbrëmje. Por gazi tani gjendet më pak dhe ka krijuar një krizë në këtë shtet të vogël të Evropës Lindore.

"Unë nuk do të përdor më gaz, kështu që do të kem vetëm dru," tha Popescu. "Por kaq sa kam nuk është mjaftueshëm."

Kriza energjetike e Evropës, e shkaktuar nga pakësimi i rrjedhave të gazit natyror nga Rusia në mes të luftës së saj kundër Ukrainës, ka detyruar disa njerëz t’u kthehen burimeve më të lira të ngrohjes, si druve të zjarrit  ndërkohë që moti bëhet më i ftohtë. Por ndërsa më shumë njerëz grumbullojnë dhe djegin dru, çmimet janë rritur, mungesa dhe vjedhjet janë raportuar dhe po shfaqen edhe mashtrimet. Pylltarët po vendosin pajisje GPS për të gjurmuar stoqet me vlerë dhe frika po rritet për pasojat e rritjes së ndotjes së ajrit dhe prerjes së pemëve.

Në ish-republikën sovjetike të Moldavisë, udhëheqësit shqetësohen se ky dimër mund të jetë shkatërrues për shumë nga njerëzit e saj për shkak të kostos së lartë të energjisë elektrike dhe ngrohjes, me çmimet evropiane të gazit natyror afërsisht të trefishuara në krahasim me sa ishin në fillim të vitit 2021, pavarësisht se ranë nga nivelet më të larta rekord të gushtit.

Vendi më i varfër i Evropës, me aspirata pro-perëndimore, por me një pjesë e territorit të tij të kontrolluar nga trupat ruse, ka parë se gjiganti rus energjetik Gazprom i ka reduktuar furnizimet me gaz natyror në 30% kohët e fundit dhe kërcënon t’i pakësojë më shumë.

Nevoja për dru zjarri nuk kufizohet vetëm në vendet më të varfra si Moldavia, por është rritur edhe në rajone më të pasura të Evropës. Gjermania, Polonia dhe pyjet shtetërore të Republikës Çeke po hasin në kërkesë shumë më të madhe për sasitë e kufizuara të druve të zjarrit që shesin, pjesë e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve.

Shpesh ajo vjen nga njerëz që nuk kanë porositur kurrë më parë dru zjarri duken të pavetëdijshëm se ato duhet të blihen dy vjet përpara, në mënyrë që të thahen mjaftueshëm për t'u djegur në soba druri, sipas shërbimit pyjor në shtetin Hesse të Gjermanisë jugperëndimore.

Ruajtësit gjermanë të pyjeve po shohin gjithashtu se po shtohen njerëzit që mbledhin dru të rënë në pyje, shpesh duke mos e ditur se është e paligjshme.