'A e di kush është më i forti?'/ Qëlloi mbi RENEA-n, autori vrau fqinjin

Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e një 49-vjeçari “me rrezikshmëri të lartë shoqërore” dhe “me rekorde të theksuara kriminale në fushat e krimeve ndaj personit dhe të armëmbajtjes pa leje”. Gjatë momentit të arrestimit, ky person ka qëlluar me armë zjarri ndaj policisë dhe RENEA-s.

Agim Gjata, i cili u vendos në pranga gjatë një operacioni të RENEA dhe Policisë së Shkodrës pasi u pikas në banesën ku fshihej, ka kryer një vrasje në vitin 2011. 49-vjeçari ka ekzekutuar me armë zjarri fqinjin e tij, Ndoc Çeliku në fshatin Barbullush. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 18 qershorit të vitit 2011, disa metra larg banesës së viktimës.

“A e di se kush është më i fortë këtu?," ishte fjalia që shërbeu si zanafillë e sherrit mes të Agim Gjatës dhe 61-vjeçarit, që përfundoi në mënyrë tragjike.

Rreth orëve të darkës, 61-vjeçari, Ndoc Çeliku, dhe fqinji i tij, Agim Gjata, ka nisur një debat. Përplasja mes tyre ka nisur fillimisht me fjalë dhe më pas ka filluar të acarohet edhe më shumë, duke u konfrontuar fizikisht. Pas kësaj, Agim Gjata, në atë kohë 38-vjeç, ka vendosur që të hakmerret ndaj fqinjit. Ai ka shkuar në banesën e tij, ku ka marrë një automatik dhe i ka zënë pritë viktimës.

Rreth orës 23:40 të mbrëmjes, sapo e ka pikasur se 61-vjeçari po i afrohej banesës, Agim Gjata e ka qëlluar me breshëri automatiku. Si pasojë e plumbave të marrë, Ndoc Çeliku ka mbetur i vdekur në vend. Pas kësaj, Agimi së bashku me armen e krimit është larguar, duke përfituar nga errësira, në drejtim të paditur.

Banorët e Barbullushit, të trembur nga krismat e kallashnikovit në atë orë të vonë të mbrëmjes, kanë dalë të shohin se çfarë ka ndodhur dhe kanë gjetur të shtrirë përtokë 61-vjeçarin Ndoc Çeliku. Policia gjeti pranë tij në dorën e djathtë një levë hekuri, çka hodhi dyshimet se e kishte marrë për t’u mbrojtur në një tjetër konfrontim të mundshëm me Gjatën.

Pas rreth 1 ore pas krimit u gjet vendi ku ishte fshehur autori i krimit, i cili ndodhej në një zonë malore dhe të pyllëzuar në periferi të fshatit Barbullush.